Lajme Shqip Friday, 30 December 2011 17:30

Durrës – Koncerti i madh i ndërrimit të viteve në Durrës nuk do të zhvillohet dhe artistët e skenës do të performojnë kryesisht në festat që organizojnë baret dhe restorantet natën e Vitit të Ri.

Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka bërë të ditur se festa e madhe që organizohet tradicionalisht në qendër të qytetit nuk do të zhvillohet për mungesë fondesh. Megjithë zbukurimet e vendosura thuajse në të gjitha rrugët dhe sheshet kryesore të qytetit bregdetar, natës së ndërrimit të viteve do t’i mungojë koncerti tradicional, në të cilin kanë interpretuar figura të njohura të skenës shqiptare.

Këngëtarët dhe humoristët janë ftuar të performojnë në festat që kanë organizuar baret dhe restorantet, kryesisht në zonën e plazhit. Shumica e festave do të fillojnë pas mesit të natës, tha për ATSH-në Ervin M., i cili drejton një lokal në shëtitoren “Taulantia”. Pas darkës së fundvitit në familje, festa me këngëtarët dhe një orkestrinë të vogël do të zhvillohet në këto mjedise të zbukuruara.

Megjithatë, në Durrës nuk mungojnë prenotimet e klientëve të shumtë për restorantet që kanë organizuar festat me menu të plotë, çmimet e të cilave shkojnë deri në 12 mijë leke për person. Festa e Vitit të Ri vazhdon të festohet tradicionalisht pavarësisht nga numri i madh i festave të tjera gjatë vitit.