Lajme Shqip Friday, 30 December 2011 16:30

Tiranë – Falja e detyrimeve tatimore të bizneseve që kanë aplikuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve llogaritet 5 miliardë lekë nga data 18 maj kur hyri në fuqi ligji për “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”.

Ndërsa burime zyrtare të DPT-së thanë se bizneset po nxitojnë për të përfituar nga amnistia fiskale, pas vendimit të qeverisë për ta shtyrë këtë nismë edhe 3 muaj të tjerë.

“Ka një fluks të jashtëzakonshëm. Të gjithë bizneset e kanë kuptuar që kjo është në ndihmën e tyre. Deri tani falja është rreth 5 miliardë lekë. Këto janë shifrat e fundit të nëntorit, deri në fund të vitit besoj se do të shkojmë rreth 15 miliardë, ose 20 miliardë.”- deklaruan burimet.

Bizneset më tepër po shlyejnë borxhet e vjetra dhe po bëjnë më pak deklarime. Sipërmarrja ka evidentuar si problem mungesën e garancisë për kontrolle pas vetëdeklarimeve, një pretendim që sipas tatimeve nuk qëndron.

Drejtuesit e administratës tatimore bëjnë të ditur se gjatë këtij viti janë grumbulluar 3.4% më shumë të ardhura se në 2010-ën, një shifër që ata e konsiderojnë si e ardhur reale, pasi për shkak të amnistisë në të nuk janë përfshirë borxhet e vjetra të biznesit.

Qeveria miratoi këtë javë vendimin për shtyrjen me 3 muaj të afatit të amnistisë fiskale. Sipas vendimit, përfshihet shtyrja e afatit për ushtrimin e së drejtës për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme të individëve apo e së drejtës së bizneseve për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore.

Nevoja për të ndryshuar afatin ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes së fluksit të kërkesave të qytetarëve, veçanërisht gjatë muajit dhjetor.