Lajme Shqip Friday, 30 December 2011 10:50

Tiranë – Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth deklaroi të enjten se gjatë vitit 2011 në Shqipëri është bërë progres, ndërsa shprehu besimin se komisioni i reformës zgjedhore do të arrijë t’i japë përgjigje çështjeve të ngritura në zgjedhjet vendore të 8-majit, në mënyrë që të veprohet me të njëjtat standarde për të gjithë.

Në një intervistë në një nga mediat vizive në vend, Ambasadori Wollfarth theksoi se janë ndërmarrë disa masa të rëndësishme për bërjen e Shqipërisë më të fortë për të ardhmen gjatë vitit 2011.

” Së bashku me disa partnerë, prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ka ofruar një asistencë të madhe për të ardhur pikërisht në këtë rrugë konstruktive. Është e rëndësishme t’u mbahet parasysh partnerëve tanë shqiptarë se gjithçka bëhet për të ndërtuar të ardhmen, integrimin evropian. Kjo është një detyrë e vështirë dhe ka shumë gjëra që duhen zhvilluar, jo vetëm infrastruktura, por edhe brenda vet qënieve njerëzore, duke nisur me edukimin e arsimimin e njerëzve dhe këtu përfshihet mirëkuptimi, sistemi politik, demokratik dhe kjo ka të bëjë me vlerat thelbësore të OSBE-së”, theksoi ambasadori Wollfarth.

Kryesore, për ambasadorin Wollfarth, është gjetja e një gjuhe të përbashkët, arritja e vlerave të përbashkëta që janë demokracia, të drejtat e njeriut dhe shteti i të drejtës. “Sa më mirë të arrihet kjo paketë aq më mirë është për ekonominë, investimet, punësimin”, theksoi më tej Wollfarth.

Duke analizuar zhvillimet gjatë vitit 2011, Wollfarth vlerësoi se “është bërë progres në vitin 2011. Ka patur disa kurba të rrezikshme që filluan pak ashpër në fillim të vitit, por për fat të mirë gjërat nuk qëndruan ashtu. Kishim zgjedhje lokale shumë të rëndësishme me pjesëmarrje të mirë të zgjedhësve, me disa vështirësi në procesin e numërimit, që duhet të rishikohet. Prandaj dhe nevojitet kaq shumë reforma zgjedhore”, nënvizoi Wollfarth.

Sa i përket zgjedhjeve lokale të majit, Wollfarth tha se u bë një hap përpara, por theksoi ai, nevojitet ende punë për të bërë. Wollfarth tha se kishte disa vështirësi me emërimin e anëtarëve të komisioneve zgjedhore, ndërsa u shpreh se dita e zgjedhjeve qe e qetë. Por probleme, sipas tij, u panë gjatë numërimit, ku pati një proces goxha të gjatë për nxjerrjen e rezultateve në Tiranë. Kjo, vijoi ai, hapi edhe disa çështje për të ardhmen, duke na treguar se ç’duhet të bëjmë që kodi zgjedhor t’u japë përgjigje këtyre gjërave që u ngritën si psh, kur votat nuk u hodhën në kutinë e caktuar. “Për këto pyetje duhet të sigurohen përgjigje në reformën zgjedhore, në mënyrë që të veprohet me të njëjtat standarde për të gjithë”, deklaroi Wollfarth.

Sipas tij, është e rëndësishme të krijohet besimi reciprok dhe tek besimi tek sistemi. Komisioni i zgjedhjeve, vijon ai, pati një detyrë të vështirë në një klimë jo dashamirëse për të organizuar në një mënyrë teknike zgjedhjet vendore.

Organizimin teknik, sipas Wollfarth është një tjetër çështje që në zgjedhjet e ardhshme, kodi zgjedhor duhet t’a adresojë.

“Krijimi i komisionit të posaçëm i reformës zgjedhore shpresoj t’i shohë këto çështje në përputhje edhe me ato çka thotë edhe raporti i OSBE/ODIHR-it që nga zgjedhjet e 2009 dhe ato të 2001. Ky është një plan i mirë pune. Mezi pres që edhe me asistencën tonë të shohim rezultate të mira nga fillimi i 2012”, tha Wollfarth. Në këtë drejtim, Wollfarth e konsideroi si të sinqertë edhe bashkëpunimin politik në vend, muajt e fundit. Lidhur me korrektimin e sistemit nga rajonal në kombëtar të kërkuar nga partitë e vogla, Wolfarth u shpreh se “ne u tregojmë modelet që ekzistojnë dhe do të jenë partitë politike  që do të vendosin për këtë”.Ndërsa përsa i përket çështjes së numërimit elektronik të votave, Ambasadori i OSBE-së tha se ky është një prpces i cili kushton kohë dhe kërkon investime të mëdha”.