Lajme Shqip Thursday, 29 December 2011 22:00

Prishtinë-Kosova po e mbyll edhe një vit përpjekjesh  shtetndërtimi, zhvillimi e përparimi, për të hyrë në Vitin e Ri 2012 me arritje të dukshme, por edhe me objektiva të reja plot sfida, tha sot kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, në një mesazh me rastin e festave të fundvitit.

“Viti 2012 shënon përvjetorin e katërt të pavarësisë së Kosovës dhe jubileun e njëqindvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë”, theksoi ai.

Krasniqi shtoi se Kosova e re, e përcaktuar dhe e angazhuar fuqishëm për demokratizimin e vazhdueshëm, për zhvillimin ekonomik e shoqëror, për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe për integrimet euroatlantike, gjatë vitit që po hyjmë do të bëjë hapa të tjerë drejt  perspektivës së saj të sigurt.

“Duke qenë në të drejtën e saj legjitime, si subjekt i përgjegjshëm ndërkombëtar, si faktor paqeje e stabiliteti, Kosova e pavarur dhe sovrane, do të njihet ndërkombëtarisht edhe nga vende të tjera, për t’u bërë shpejt anëtare e barabartë në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara dhe në organizmat e tjerë ndërkombëtarë e rajonalë”, theksohet në mesazh.

Sipas tij, me pasuritë e shumta që ka, me rininë e saj të mrekullueshme, të motivuar fuqishëm për përparim dhe zhvillim, me mbështetjen dhe solidaritetin e gjerë ndërkombëtar, Kosova do të ndryshojë nga viti në vit për t’u kthyer në një vend të lulëzuar e të begatë. (LajmeShqip.com)