Lajme Shqip Thursday, 29 December 2011 20:00

Romë – Një çift të moshuarish, ai 99 vjeç dhe ajo 96 vjeç, kanë vendosur t’i japin fund martesës pas 77 vitesh martesë.

Kërkesa për divorcin konsensual ka ndodhur për motive xhelozie pasi gruaja 60 vite më parë ka tradhtuar bashkëshortin, ka konfirmuar avokatja Anna Orecchioni.

Dosja me kërkesën për ndarje u depozitua në Gjykatën e Romës dhe pritet që seanca gjyqësore të zhvillohet në mes të muajit mars.

Mediat italiane shkruajnë se kriza e çiftit ka nisur që në vitin 2002, kur burri zbuloi disa letra të cilat e shoqja ia kishte dërguar mëse gjysmë shekulli më parë një burri me të cilin kishte pasur lidhje.

Dy bashkëshortët, ai i vitit 1912 nga Sardenja dhe ajo e vitit 1915 nga Napoli, u njohën në vitet ’30 kur ai ishte karabinier dhe ishte dërguar me shërbim në Napoli.

Ndërkaq më 25 korrik të vitit 1934 u zhvillua edhe ceremonia e martesës.

Njëzet vite më pas, çifti i cili sot ka pesë fëmijë e dhjetra nipër e mbesa, u transferua përfundimisht në Romë ku gjithçka ka shkuar mirë deri në vitin 2002, atëherë kur i moshuari zbuloi letrat e dashurisë të së shoqes.

Zbulimi dramatik e detyroi burrin të merrte një vendim duke u larguar nga shtëpia bashkëshortore, për t’u kthyer pak muaj më vonë tek e shoqja… Por asgjë nuk ishte më si më parë, pasi grindjet tyre sa vinin dhe shtoheshin.

Vetëm pak javë më parë dy bashkëshortët morrën vendimin final, atë të divorcit.

Ndërkaq, shpresa e fundit për të ruajtur martesën do të jetë në muajin mars, kur gjykatësi do t’i pyesë nëse duan të pajtohen… natyrisht nëse do të jenë ende gjallë.