Lajme Shqip Thursday, 29 December 2011 18:06

Prishtinë- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur një delegacion të Parlamentit të Turqisë, të kryesuar nga anëtari i këtij parlamenti, Rifait Sait.

Gjatë takimit, Jahjaga vlerësoi ndihmën që Turqia i ka dhënë dhe vazhdon t`i japë Kosovës në të gjitha fushat dhe tha se është i nevojshëm thellimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi. Ajo u shpreh se Kosova është shtet i ndërtuar në parimin qytetar dhe respekton vlerat e secilit komunitet.

Presidentja theksoi gjithashtu se anëtarësimi i Kosovës në nismat dhe mekanizmat rajonale dhe ndërkombëtare është i domosdoshëm dhe tha se po punohet në axhendën evropiane për vendin.

Nga ana tjetër Rifait Sait në emër të delegacionit të parlamentit turk, tha se vendi i tij i kushton një rëndësi të veçantë Kosovës, ndërsa e ka vlerësuar si shumë të mirë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Ai tha se për Turqinë paqja dhe stabiliteti në Kosovë nënkupton paqe dhe stabilitet në gjithë rajonin e Ballkanit.

Anëtari i Parlamentit të Turqisë shtoi se Turqia do të mbështesë Kosovën në të gjitha proçeset dhe do të jetë një lobuese e fuqishme për Kosovën në vendet e Kaukazit dhe në vendet islamike.