Lajme Shqip Thursday, 29 December 2011 17:36

Kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka thënë se nuk do e votojë Fatos Nanon për president. 

Ajo tha se Nano nuk do ketë së paku votën e saj. Duke folur me nota të forta kritike edhe ndaj presidentit aktual, në një intervistë në televizionin ABC News, zonja Topalli u ndal tek z.Nano dhe tha prerë se “nuk e votoj Fatos Nanon për President”.

Në lidhje me këtë argument, Topalli tha se “Nanon nuk gjykoj dhe as paragjykoj asgjë pasi çdo njeri ka të drejtën të kandidojë” por shtoi se ish-kryeministrin nuk e sheh si presidentin e ardhshëm të paktën me votë prej saj.

Topalli gjithashtu ka përsëritur faktin se presidenti do të zgjidhet sipas Kushtetutës, që për demokratët nënkupton zgjedhjen me shumicë të thjeshtë të një emri nga ata. Vetë kryeministri tha se do jetë një propozim i PD. Kurse kreu i LSI, Ilir Meta, ka deklaruar se presidenti nuk zgjidhet pa votën e tyre.