Tiranë- Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, dhanë një pritje koktej për anëtarët e qeverisë, me rastin e mbylljes së këtij viti dhe ardhjes së Vitit të Ri 2012.
Në fillim Berisha ka falënderuar bashkëshortet e ministrave, duke thënë se mbështetja e tyre ka qenë e rëndësishme. “Unë dua të falenderoj bashkëshortet tuaja, me bindjen më të thellë se pa mbështetjen tuaj nuk do mund të ishin realizuar këto objektiva që janë realizuar gjatë këtij viti,” tha Berisha.
Duke mbajtur fjalën e rastit, Berisha tha se dy arritjet e këtij viti që po mbyllim ishin censusi dhe zgjedhjet.
“Edhe këtë vit, sërish, ambiciet e projektet tona ishin shumë të mëdha, por mendoj se dy procese të mëdha e të rëndësishme patën vend këtë vit: Zgjedhjet lokale jashtëzakonisht të rëndësishme, në të cilat mbizotëroi Kushtetuta, kushtetutshmëria dhe u numërua çdo votë e qytetarëve shqiptarë para kamerave dhe dritës së diellit dhe një proces tjetër, edhe ky jashtëzakonisht i rëndësishëm, ishte censusi që përbën fotografinë e vërtetë të realitetit shqiptar dhe tregues i tij më kryesor për vitin 2011,” tha Berisha.
Ndryshe nga sa ka ndodhur këtë vit, Berisha, që nuk e përmendi shëndetësinë në analizën e tij, foli përpara ministrave për suksese në këtë fushë. “Ndryshime shumë të mëdha janë arritur këtë vit, në sistemin tonë shëndetësor. Është normale është që ne të bëjmë gjithçka për t’ju ofruar qytetarëve shqiptarë një kujdes shëndetësor të cilësisë më të lartë. E vërteta është se, po t’i referohemi investimeve e statistikave botërore, ne sot ndjehemi të privilegjuar për arritjet e shënuara në këtë fushë. Këto ditë po lexoja një material të një vlerësimi shumë të ndjeshëm lidhur me statusin e gruas në raport me shërbimin shëndetësor. Shqipëria ka një vend shumë të lakmueshëm dhe kjo nuk është e rastit, por rezultat i një përpjekje të fuqishme të bërë për transformimin e këtij sistemi. Vetëm gjatë këtij viti janë instaluar mbi 5 skaner, 2 rezonanca nukleare magnetike, laboratorë ultramodernë, spitali i ri i urgjencës, absolutisht i teknologjive më të fundit dhe një seri arritjesh të tjera,” tha Berisha.
Kryeministri tha se Shqipëria është vend me potencial dhe i bekuar, por e kanë dënuar regjimet e pushtimet. “Në mbledhjen e qeverisë, unë citova një të dhënë të censusit, por një e dhënë me domethënie të jashtëzakonshme, në raport me pronën themelore të njeriut, me pasurinë e tij themelore. Sipas të dhënave të këtij censusi, shqiptarët lënë mbrapa disa vende anëtare të OECD-së dhe anëtare të Bashkimit Europian, çka përbën një arritje historike. Dhe, kjo arritje e një vendi, i cili 20 vjet më parë kishte në qytetet e tij gjithsej 220 mijë apartamente dhe sot numëron 380 banesa për 1000 banorë, përbën një hop të jashtëzakonshëm, veçanërisht kur ndodh në prag të 100 vjetorit. Le të përpiqemi të bëjmë gjithçka, në çdo fushë, për të kapur pozicione dhe horizonte të vendeve të zhvilluara. Ne i kemi të gjitha mundësitë. Ky është një vend i bekuar, me potenciale të jashtëzakonshme. Këtë vend e kanë dënuar regjimet e pushtimet, por sot, ai është një vend i lirë dhe shqiptarët dëshmojnë se me iniciativën e tyre janë njerëzit më të fortë të kësaj toke. Me lumenjtë e djersës e sakrificën e tyre, absolutisht, ata janë të pashembullt. Ndaj ju ftoj ta ngremë këtë dolli për qytetarët shqiptarë, së dyti, për bashkëpunëtorët tanë, të cilët me përkushtimin e tyre kanë shërbyer me dinjitet të madh, ta ngremë këtë dolli për bashkëshortet tuaja, të nderuar ministra e zyrtarë të pranishëm këtu dhe për ju uroj një vit të ri, siç e doni vetë, një vit të ri me shumë suksese, me gëzime, lumturi e gjithë të mirat. Gëzuar!”, tha Berisha.
Thursday, 29 December 2011 17:24 