Pavarësisht tensioneve në veri, nuk ka arsye për rritjen e numrit të ushtarëve të NATO-s në Kosovë, kështu ka deklaruar komandanti i KFOR-it gjenerali gjerman Erhard Drevs për gazetën serbe Vecernje Novosti.
Situatën në Kosovë Drevs e ka cilësuar të qëndrueshme, përkundër sfidave në veri. Ai edhe njëherë ka bërë apel që serbët të heqin bllokadat e rrugëve. Pengimi i lëvizjes së lirë të KFOR-it, misionit Euleks dhe qytetarëve është i papranueshëm për NATO-n ka thënë gjenerali Drevs, ndërsa ka shtuar se krijimi i kushteve për lëvizje të lirë, është qëllimi kryesor i KFOR-it në Kosovë dhe se KFOR-i nuk do të pranojë asnjë alternativë tjetër pos kësaj.
Ai ka thënë se është në dijeni të faktit se shumë qytetarë serbë në veri janë të pakënaqur me këto barrikada dhe mezi presin të kthehet normaliteti. Drevs ka nënvizuar se në Kosovë kanë ndodhur përparime të dukshme, përveç në veri ku situata nuk ka ndryshuar që nga viti 1999.
Ai u ka rekomanduar serbëve të komunave në veri të Kosovës që të dalin në jug dhe të udhëtojnë në komunat me shumicë serbe si janë Graçanica, Shterpca e Parteshi, për të parë përparimet që ka bërë komuniteti serb në këto komuna të integruara. Kosova, ka thënë Dres, është shtëpi e përbashkët e shumë komuniteteve, kurse serbët janë pjesë e Kosovës.
Thursday, 29 December 2011 11:00 