Kryeministri Sali Berisha, gjatë një konference përmbledhëse për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë vitit 2011, ka thënë se ky vit ka qenë i mbushur me suksese të mëdha.
Ai ka përmendur si sukses zgjedhjet e 8 majit, që sipas Berishës përmbushën standardet demokratike, ndërsa tha se mazhoranca fitoi bindshëm.
Duke u ndalur tek dështimi për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, Berisha tha se përgjegjësia bie mbi opozitën, pasi sipas Berishës, ajo nuk votoi ligjet.
Berisha nuk ka lënë pa përmendur edhe pasionin e tij të ri këtë vit, projektin e arrorëve, duke thënë se Shqipëria mund të kthehet në një Kaliforni të vogël falë mbjelljes së druve arrorë.
Berisha ka numëruar me radhë një sërë ngjarjesh dhe arritjesh, që sipas tij e kanë kthyer Shqipërinë në një vend të zhvilluar.
Analizën e tij Berisha e nisi me 21 janarin, ngjarje për të cilën tha se testoi funksionimin e shtetit, ndërsa deklaroi se pushteti nuk mund të merret me dhunë.
“Viti filloi me disa probleme të caktuara, krejtësisht të pamotivuara, pa asnjë arsye ligjore, ngjarje që provuan, testuan funksionimin e kushtetueshmërisë së vendit. Ngjarje, të cilat morën përgjigjen më kushtetuese dhe më ligjore. Shqipëria u faktua si një shtet ligjor, askush nuk mundet që të marrë pushtet me dhunë apo të rrëzojë një qeveri të zgjedhur me votë të lirë”, tha kryeministri në nisje të analizës së tij.
“Viti 2011 ishte vit suksesi dhe pati ngjarje të mëdha. Zgjedhjet e 8 majit ishin një prej ngjarjeve më të rëndësishme. Në këto zgjedhje, institucionet kushtetuese të këtij vendi kaluan një nga testet më themelore për çdo vend demokratik, për shkak të ngushticës së garës. Për herë të parë u numërua çdo votë. Qendrimi që ne mbajtëm për këto zgjedhje ishte i drejtë dhe kjo u vërtetua nga institucionet ndërkombëtare. Këto zgjedhje treguan se mazhoranca është 12% para opozitës. Jemi 19 deputetë para opozitës, nëse do të përkthehet në vota, teksa kemi marrë shumicën e komunave dhe bashkive. Opozita u përpoq më kot që të bllokonte numërinin e votave në Tiranë.
Shqipëria nuk e mori statusin kandidat për në BE, sepse opozita në mënyrë të paprecedent vendosi të mos votonte ligjet. Por, shqiptarët më 8 maj i dhanë mësimin më të merituar për bllokimin e integrimit.
Pavarësisht krizës së thellë energjitike, Shqipëria nuk ka pasur asnjë orë mungesë energjie gjatë këtij viti, me përjashtim të defekteve të ndryshme apo gabimeve njerëzore.
Këtë vit në Shqipëri hynë 4 milionë turistë dhe kjo është një shifër rekord për Shqipërinë. Imagjinoni që deri në vitin 2004, në Shqipëri vinin vetëm 300 mijë vizitorë.
Ajo që më emocionon më shumë është fakti se Bjeshkët e Namuna po shpallen destinacioni më i preferuar për Europën, po shpallen Himalajat e Europës. Ç’po ndodh? Bota po përulet para bukurive të kreshtave, maleve dhe luginave të këtij vendi”, ka thënë Berisha gjatë fjalës së tij.
Wednesday, 28 December 2011 21:08