Tiranë – Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot në mbledhjen e qeverisë se, “Censusi 2011 faktoi se në Shqipëri, janë 380 banesa për 1000 banorë”.
“Kjo përbën një nga arritjet më të mëdha të vendit. Ky tregues në vitin 2001, ka qenë 225 banesa për 1000 banorë”, tha Berisha duke e krahasur këtë shifër edhe me vendet e tjera të BE-së dhe OECD-së.
Kryeministri theksoi se shqiptarët me forcën e tyre krijuese arritën ta fusin Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara.
“Censusi i fundit fakton se në Shqipëri sot janë 380 banesa për 1 mijë banorë, krahasuar me censuset e BE në Sllovaki ku janë 317 banesa për 1000 banorë, në Poloni 335 banesa për 1000 banorë, në Maltë janë 349 banesa për 1000 banorë”, theksoi Berisha, duke shtuar se, “ka dhe vende si Franca me 509 banesa për 1000 banorë, Danimarka me 500 banesa për 1000 banorë etj, vende të BE-së që janë në diapazonin mes 400-500 banesa për 100 banorë”.
Kjo sipas tij, “përbën një nga rritjet më historike dhe të mdha të këtij vendi”.
“Ky tregues në vitin 2001 ka qenë 225 banesa për 1000 banorë dhe po t’u referohemi statistikës së shtëpive të banimit në BE dhe po t’u referohemi statistikave të BE për regjistrimet, në asnjë prej tyre s’ka ekzistuar një vend me 225 banesa për 1000 banorë në 30 vite.
Askush s’ka pasur si shqiptarët 10 vjet më parë 225 banesa”, tha Berisha.
“Në këto vite Shqipëria ka ndërtuar me shumë se secili nga vendet e kësaj liste në 20 vitet e fundit”, u shpreh kreu i ekzekutivit.
Kryeministri theksoi se, “shqiptarët në 10 vite kanë ndërtuar më shume se 25 kombe të tjera. Në 2011 çdo 2.6 banorë ka një banesë”.
“Banesa ka qenë dhe mbetet pasuria kryesore e individit dhe familjes. Nëse në vitin 2001, një banesë i përkiste 3.9 shqiptarëve, në vitin 2011, 2.6 shqiptarë kanë një banesë. Numri i banesave në total është 1,075,881. Nga viti 2001 në vitin 2011 janë ndërtuar plus 125 banesa për 1000 banorë, pra Shqipëria bëri një hop të madh, shqiptarët bënë një kapërcim të fuqishëm në këto vite, kryesisht nga 2005-a deri sot në fushën e shtëpive të banimit”, tha shefi i qeverisë.
“Flitet për 1 milion të varfër në këtë vend, me një matematikë fiks të 21 viteve më parë. E vërteta është se sot janë pronarë shtëpish, mbi 740 familje shqiptare”, u shpreh Berisha, duke shtuar se, “sigurisht që ka dhe familje të varfra dhe të pastrehë, por ky është standardi i një vendi të zhvilluar, më i lartë se disa vende anëtare të OECD”.
“Nga viti 2001 në vitin 2011, 300 familje shqiptare janë bërë m2 shumë se me një banesë. Kjo tregon rritje të shpejtë dhe kosolidimin e asaj që quhet klasë e mesme e shoqërisë. Kjo klasë përbën themelin e sistemit të vlerave të demokracisë në çdo vend, themelin e stabilitetit të vendit”, tha Berisha.
Berisha nënvizoi se , Censusi ishte jetik për të na dhënë pasqyrën Shqipërisë së këtij viti.
“Në procesin integrimit kjo është një arritje madhore. Dua të jem shumë i sinqertë kur theksoj se ky proces duhet të jetë tërësisht i merituar. Nuk ka pse të integrohemi si streha vorfnore e Evropës. Ne duhet të krijojmë pasuri, të ardhura, të zhvillohemi sepse kemi gjithçka për ta arritur këtë”, përfundoi Kryeministri.
Wednesday, 28 December 2011 14:37 