Elbasan – Të lindesh fëmijë kur je ende “fëmijë”, është një ndër tabutë që vazhdojnë të ruhen kryesisht tek komuniteti rom në Elbasan. Sipas të spitalit obstetrik – gjinekologjik të Elbasanit mësohet se vetëm gjatë vitit 2011 janë 43 “fëmijë” që janë bërë nëna.
“Rritja e rasteve është mjaft e lartë krahasuar me një vit më parë, ku numri i lindjeve në moshë të vogël ka qenë 25”, thotë për ATSH mjeku gjinekolog Arben Parralloi. Sipas tij, minorenet, pjesa më e madhe e komunitetit rom, por edhe shumë të tilla nga zonat rurale, kryejnë lindje para kohe, duke dëmtuar kështu organizmin, por edhe janë të paafta për t’u bërë nëna. Nga këto 21 nëna i përkasin zonave urbane (kryesisht rome) dhe 22 zonave rurale. Kryetari i komunitetit rom, Enver Mustafai, thotë për ATSH se, “kjo shifër është në bazë të statistikave zyrtare, për të mos lënë pa përmendur edhe lindjet në kushtet shtëpiake që kryhen me ndihmën e vetë grave rome”. Pas lindjes, nëna e vajzës minorene merr fëmijën në emër të saj, pasi sipas ligjit nuk lejohet që një çift 14 vjeçar të celebrohen. “Më pas sërisht fëmija vazhdon të mbajë si mëmësi dhe atësi gjyshërit e saj”, thotë Mustafai. Ai shton se ka raste që “deri sa nënat e tyre të mbushin 18 vjeç, fëmijët nuk regjistrohen në Gjëndjet Civile, sikur shteti të mos ekzistonte”.
Sociologët shprehen se “një ndër shkaqet kryesore të këtij fenomeni është mungesa e informacionit, por edhe traditat që ruhen kryesisht në komunitetin rom. Për të parandaluar këtë fenomen, Bashkia e Elbasanit si edhe shoqata të ndryshme, madje edhe Vullnetarë të Korpusit të Paqes, organizojnë seminare të ndryshme me përfaqësues të komunitetit rom, si edhe me të rinj, me qëllim parandalimin e martesave në vogëli e më pas edhe lindjeve që vijnë për shkak të martesave.
Mjeku gjinekolog Arben Parralloi shpjegon se, “një lindje para kohe tek një fëmijë, shkakton probleme tek nëna si nga ana organike, ashtu edhe nga ana mendore, pasi ka pasur raste që një nënë minorene për shkak të lindjes në moshë të vogël ka kaluar edhe në depresion”. Ndërsa për vetë kryetarin e komunitetit rom, “është një tabu që duhet thyer, pasi nëna nuk është e pjekur për të rritur një fëmijë të shëndetshëm dhe t’i japë atij një edukatë të shëndoshë”.
Wednesday, 28 December 2011 09:00