Lajme Shqip Tuesday, 27 December 2011 19:00

Rreth 800 emigrantë kanë hyrë sot në pikën kufitare të portit të Vlorës , me dy tragete që përshkojnë linjën detare Brindizi-Vlorë.

Ky fluks emigrantësh që kthehen në vendlindje për festat e fundvitit konsiderohet normal për një periudhë të tillë, ndërkohe që ka shënuar rritje gjatë ditëve të fundit, kur me këtë linjë detare janë kthyer deri sot 4500 emigrantë.

Burime zyrtare të kapitenerisë së portit thanë se ,”fluksi do shënojë rritje gjatë ditëve të ardhshme, deri në 31 dhjetor”.

Sipas burimeve, janë marrë të gjitha masat për të shmangur mbingarkesat në mjediset portuale përmes shtimit të numrit të sporteleve dhe personelit.

Aktualisht në portin e Vlorës funksionojnë 8 sportele për përpunimin e pasagjerëve, ndërsa 4 prej tyre janë për përpunimin e automjeteve.

Ndërsa në portin më të madh në vend, në Durrës, nga mëngjesi i sotëm deri tani kanë mbërritur 3000 emigrantë, për të kaluar festat e fundvitit në Shqipëri.

Burime nga kapiteneria e portit të Durrësit bënë të ditur për ATSH-në se, “me 4 tragetet e nisura nga porti i Brindizit në Bari kanë mbërritur 3000 emigrantë dhe 1000 automjete, ndërsa pritet që të mbërrijë edhe një tjetër traget, duke e çuar numrin e udhëtarëve në 4200, ndërsa të automjeteve në 1100”.

Sipas burimeve, autroritetet portuale kanë vënë në dispozicion 28 sportele për përpunimin e pasagjerëve dhe automjeteve.

Mësohet se nga e premtja deri ditën e djeshme në portin e Durrësit kanë mbërritur 27 600 udhëtarë dhe 6500 automjete.

Tragetet që mbërrijnë në portin e Durrësit vijnë kryesisht nga Bari, më pak nga Ankona dhe Trieste.

Ndërsa përmes vendkalimit kufitar të Kakavijës, të paktën 4 mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë në Greqi, kanë hyrë gjatë 14 orëve të fundit, rreth 25 km larg Gjirokastrës.

Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit për Qarkun e Gjirokastrës, pohuan sot se “numri i emigrantëve shqiptarë që pritet të vijnë në atdhe për të festuar ndërrimin e viteve, pritet të rritet në fundjavë”.

“Akualisht në dipozicion të emigrantëve funksionojnë 10 sportele, gjashtë në hyrje dhe katër në dalje”, tha policia kufitare.

Në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës në kufirin Shqipëri-Greqi, funksionojnë me kohë të plotë dy pika vendkalime kufitare, ajo e Kakavijës, që ndodhet rreth 30 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në drejtim të jugut dhe “Tre Urat”, që ndodhet rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit, në drejtim të perëndimit.

Ndërsa pika kufitare e Sopikut, që ndodhet rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës në komunën e Pogonit, funksionon vetëm për këmbësorët.

Gjithashtu edhe kalimi kufitar në Kukës ka shënuar rritje të lëvizjeve të njerëzve. Sikurse në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë dhe në kufirin Shqipëri – Kosovë, është një fenomen i zakonshëm, për shkak të afërsisë së zonave rurale dhe lidhjeve të shumta farefisnore të banorëve të të dy anëve të kufirit.

Ndërkohë që një fluks në rritje vërehet gjatë këtyre ditëve edhe në doganat dytësore  që lidhin banorët e zonave rurale të të dy vendeve si dogana e Shishtavecit, Borje e  Zapod  në rrethin e Kukësit.

“Gjatë këtyre ditëve është vërejtur një fluks në rritje i banorëve të këtyre fshatrave në drejtim të Dragashit e fshatrave përreth tij , ku furnizohen  me mallra dimërore, apo vizita te të afermit e sapo kthyer nga emigracioni”,- thotë Islam Ismaili, një prej punonjësve të Policisë Kufitare në doganën e Shishtavecit, në rrethin e Kukësit.

Banorët e kësaj zone furnizohen për festat e fund vitit në Dragash, apo fshatrat përreth tij E njëjta situatë është edhe në dy pikat e tjera kufitare me Kosovën, atë të Borjes dhe të Orgjostit.