Tiranë – Përmbushja e 12 rekomandimeve që Komisioni Europian i ka caktuar Shqipërisë për të fituar statusin e vendit kandidat ka qenë tema kryesore e axhendës së qeverisë shqiptare si dhe e ministrive përkatëse.
Ndërsa në fund të viti 2010 liberalizimi i vizave ishte njohje e arritjeve në konsolidimin e shtetit të së drejtës, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në garantimin e të drejtave të njeriut, zbatimi i regjimit pa viza gjatë vitit 2011 ka ecur mirë deri tani.
Ndërkohë, për plotësimin e rekomandimeve të Opinionit të nëntorit 2010 për Shqipërinë, dhe në veçanti të 12 prioriteteve kyçe, qeveria përgatiti Planin e Veprimit, një proces që filloi një vit më parë, në konsultim me opozitën parlamentare dhe shoqërinë civile dhe në transparencë të plotë, duke u përpjekur që të përfaqësohen interesat e gjera të shoqërisë shqiptare.
Plani i Veprimit i finalizuar u miratua në qershor 2011, dhe shumica e aktiviteteve të parashikuara janë realizuar ose janë në proces.
– Hapat e ndërmarrë për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian për integrimin e Shqipërisë në BE-
Përsa i përket prioriteteve kyçe (1-5), që kanë natyrë kryesisht politike, Kuvendi miratoi me konsesus të gjerë vendimin për ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore dhe për ligjet që kërkojnë 3/5 e votave, vendimin për ngritjen e një grupi pune për Rregulloren e Kuvendit dhe përgatitjen e një kalendari për shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave dhe për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Fundi i bojkotit të opozitës i hap kështu rrugën përmbushjes së 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të KE-së si edhe progresit të mëtejshëm të vendit tonë në rrugën e integrimit europian.
Ashtu siç theksoi edhe ministrja Bregu në komisionin e Integrimit, “hapat konsensualë pozitivë të ndërmarrë nga forcat politike shqiptare dhe fakti që opozita më në fund shpreh vullnetin për bashkëpunim, krijon kushtet për përmbushjen e prioriteteve politike brenda një harku kohor të shkurtër”.
Ndërkohë përsa i përket rekomandimit të 6, që ka të bëjë me reformën në administratën publike, të gjitha masat e parashikuara në Planin e Veprimit për këtë hark kohor, ose janë realizuar, ose janë në proces.
Ligji i ri për Shërbimin Civil është hartuar tashmë në konsultim të ngushtë me të gjitha grupet e interesit. Në qershor, Këshilli i Ministrave miratoi Vendimin që përcakton standardet dhe modalitetet për ngritjen e organeve publike, për sa i përket strukturës dhe organizimit. Departamenti i Administratës Publike po monitoron zbatimin e Urdhrit të Kryeministrit të tetorit 2010, që ka për objekt eliminimin e punësimit me kontratë në administratë dhe ndëshkimet në rast moszbatimi. Si rezultatet, emërimet me kontratë në shërbimin civil kanë pësuar rënie nga 20% në nën 8%.
Në lidhje me rekomandimin 7, që ka të bëjë me garantimin e pavarësisë, efiçencës dhe përgjegjshmërisë së organeve gjyqësore është miratuar në korrik strategjia ndërsektoriale dhe Plani i Veprimit për Sistemin e Drejtësisë, me synimin për të garantuar pavarësinë, efiçencën dhe përgjegjshmërinë e sistemit të drejtësisë. Strategjia ishte fryt i një procesi gjithëpërfshirës, ku u pasqyruan rekomandimet e të gjithë aktorëve të përfshirë si edhe sugjerimet e Komisionit Europian.
Janë bërë propozime për të ndryshuar sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve. Gjithashtu, është ngritur një komision për transferimet dhe emërimet e gjyqtarëve.
Është instaluar dhe është funksional sistemi i kompjuterizuar i menaxhimit të çështjeve civile dhe penale, si edhe ndarja e tyre në mënyrë të rastësishme.
Sistemi i ri i përmbarimit privat ka nisur së funksionuari. Ndërkohë që ligje të rëndësishme për reformën në gjyqësor kanë mbetur pezull, pasi kërkojnë shumicë me 3/5 të votave.
Tuesday, 27 December 2011 18:00