Tiranë – Bashkia e Tiranës po vijon monitorimin e tregjeve me shumicë të kryeqytetit, në mënyrë që edhe këto ditë të fundit, deri në natën e ndërrimit të viteve të mos abuzohet me çmimet.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Edmond Panariti, Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit Geron Ibrahimi, Drejtori i Policisë Bashkiake dhe përfaqësues të Tatim – Taksave janë ndalur sot në tregun e fruta – perimeve, pranë Njësisë Bashkiake nr.2.
Task – Forca e çmimeve nuk ka konstatuar as sot abuzim me çmimet e mallrave të shportës dhe ato të fruta – perimeve. Nënkryetari i Bashkisë Edmond Panariti bëri të ditur se duke nisur nga viti i ardhshëm do të hartohet, një etiketë “tip” (format), e cila do të përmbajë krahas çmimit dhe artikullin ushqimor të cilit ky çmim i referohet, cilësinë dhe vendin e origjinës.
“Konsumatori dëshiron të dijë edhe prejardhjen e produktit, pra është produkt vendi apo importi. Kjo i shërben pa dyshim jo vetëm transparencës ndaj konsumatorit, ndaj blerësit, por i shërben pa dyshim edhe gjurmueshmërisë së produktit. Nesër, pasnesër, çdo problem që ky produkt mund të ketë, në raport me konsumatorin, dihet edhe vendi i origjinës dhe kjo i shërben natyrisht edhe Inspektoriatit, për të monitoruar dhe gjurmuar burimin e problemit, nëse ai do të ekzistojë”, tha Panariti.
Panariti garantoi se mbrojtja e konsumatorit nga abuzimi me çmimin e mallit nuk është vetëm një fushatë, por do të jete e mirëoganizuar dhe e strukturuar. “Mbrojtja e konsumatorit është prioritet absolut i Bashkisë së Tiranës”.
Tuesday, 27 December 2011 09:20