Ndërmjetësi i BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Kuper e ka quajtur lajm të mirë fillimin e implementimit të marrëveshjes për lëvizje të lirë të personave. 
Kuper tha se ky ishte edhe qëllimi i fillimit të këtij dialogu me të cilin do të arrihet të përmirësohet jeta e njerëzve
Ai tha se lëvizja e lirë është parimi themelor i Bashkimit Evropian, kështu që hapat në drejtim të lëvizjes së lirë e bëjnë Ballkanin si një tërësi në zonën evropiane. Nga kjo do të përfitojnë të gjithë ata që e shohin të ardhmen ne Bashkimin Evropian.
Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e negociatorit Robert Kuper thuhet se “qytetarët e të dy vendeve do të kenë tani mundësi të udhëtojnë me dokumentet e tyre të identifikimit në ose përmes territorit të pales tjetër dhe në pikëkalim, do të marrin një dokument hyrës përkatësisht dalës. Fillimisht do të jenë të hapura pikëkalimet në Jarinje, Merdarë dhe Muçibabë e më pas kjo masë do të fillojë të aplikohet edhe në të gjitha kalimet e tjera. Sa i përket udhëtimit në destinacionin e tretë, kjo do të bëhët si fillim në dy kalime, një midis Serbisë dhe Hungarisë (Horgosh) dhe tjetri midis Serbisë dhe Kroacisë (Batrovci) do të hapen për hyrje/dalje nga Serbia. Me kalimin e kohës të gjitha kalimet e tjera do të jenë njësoj të hapura për udhëtim të mëtutjeshëm”.
Në komunikatë po ashtu sqarohet se automjetet me targa të Serbisë lëshuar për njerëzit me banim në Serbi dhe veturat me targa KS lëshuar në Kosovë do të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm në ose përmes territorit të pales tjetër.
Skema e sigurimit të pikave kufitare, do të aplikohet në të dyja anët. Pagesa e sigurimit do të jetë në përputhje me listën e çmimeve të skemave përkatëse të aplikueshme të sigurimit.
Për njerëzit që udhëtojnë me targa të automjeteve RKS do të jepen targa të përkohëshme në pikëkalime, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e ndërmjetësit të BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi.
Monday, 26 December 2011 18:28