Lajme Shqip Monday, 26 December 2011 18:16

Prishtinë -Presidentja e Republikës së Kosovës,  Atifete Jahjaga, priti në një takim Ministrin e Mbrojtjes së Portugalisë, Jose Pedro Aguiar Branco, i shoqëruar nga Shefi i Forcave të Armatosura të Portugalisë, Gjenerali Luís Araujo.

Presidentja Jahjaga, sipas njoftimit nga Presidenca kosovare, e vlerësoi ndihmën që Portugalia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës, në veçanti përmes pjesëmarrjes së trupave të saj në kuadër të forcës paqeruajtëse KFOR.

Ajo tha se është e nevojshme mbështetja e Portugalisë për proceset integruese të Kosovës, posaçërisht për pjesëmarrjen e saj në nismat rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë Partneritetin për Paqe dhe anëtarësimin në NATO.

Presidentja Jahjaga tha se Forca e Sigurisë së Kosovës po i përmbush me sukses kapacitetet e saj operacionale dhe mbështetja e Portugalisë për këtë forcë është e një rëndësie të veçantë. 

Ministri portugez i Mbrojtjes, Jose Pedro Aguiar Branco, tha se vendi i tij do ta mbështesë Kosovën dhe se trupat portugeze do të vazhdojnë të kontribuojnë në kuadër të forcës paqeruajtëse të NATO-s.

Ai tha se Portugalia është e interesuar për paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin e Ballkanit.