Londër – Britania e Madhe nuk është më ekonomia e gjashtë në botë, pasi atë e tejkaloi Brazili që para fundit të vitit, njoftoi Qendra për hulumtime ekonomike dhe të biznesit (CEBR).
Në rangun e listës më të re të ekonomive më të fuqishme botërore, e para është SHBA-ja, para Kinës dhe Japonisë, pastaj vijojnë Gjermania dhe Franca, mandej Brazili si e gjashta dhe tani Britania e Madhe si e shtata sipas rangut të ekonomisë.
Sipas drejtorit ekzekutiv të CEBR-së Daglas Mekuilijams, Brazili deri tani rregullisht i ka fituar shtetet evropiane në futboll, por tani po i fiton edhe në planin ekonomik, që, sipas tij, paraqet fenomen mjaft të ri.
“Harta botërore e ekonomive më të fuqishme në mënyrë të shpejtë po ndryshohet, në interes të shteteve aziatike dhe vendeve me zhvillim të shpejtë, për llogari të shteteve të Evropës të cilat ngecin në garën për kulmin”, thotë Mekuilijams.
Vendet evropiane, veçanërisht vendet-anëtare të BE-së as në vitin 2012 nuk do të mund të vërejnë rritje më të lartë, për shkak të vendosjes së masave të ashpra për kursime, për t’i ulur defiçitin buxhetor dhe debitë e brendshme.
Në parashikimin për deri në vitin 2020, CEBR-ja parashikon se BE-ja do të mbetet blloku më i madh tregtar në botë, por forcat më të mëdha ekonomike, do të mbeten pas më të mëdhenjve në botë. Ekspertët në këtë Qendër konsiderojnë se deri në fund të kësaj dekade, në pozitën e katërt midis dhjetë ekonomive më të fuqishme do të ngrihet Rusia, ndërsa në të pestën India. Ekonomia britanike do të ketë pozitën e tetë, pas Gjermanisë, e cila nga katërshia e tanishme, do të bjerë në vendin e shtatë dhe para Francës e cila momentalisht është e pesta, por do të bjerë si e nënta ekonomi botërore.
Monday, 26 December 2011 20:00