Paris – Franca nuk do ta arrestojë dhe as do ta ekstradojë në Tribunalin e Hagës Florans Hartmanin, ish-zëdhënësen e prokurorisë së Hagës, e cila është dënuar për shkak të mosrespektimit të kësaj gjykate, kumtoi sot Ministria franceze e Punëve të Jashtme.
“Marrëveshjet me të cilat është rregulluar bashkëpunimi ndërmjet Francës dhe Tribunalit të Hagës kanë të bëjnë vetëm me krime serioze të cilat gjykata po i proçeson”, deklaroi zëdhënësi i MPJ franceze.
Sipas tij, meqenëse Hartman është dënuar për shkak të mosrespektimit të gjykatës, që nuk bën pjesë në krime të tilla, Franca nuk ka baza ligjore për arrestimin dhe ekstradimin e saj.
Tribunali i Hagës nga mesi i muajit të kaluar lëshoi urdhërarrest për Hartmanin, e cila ka shtetësi franceze, pasi u dënua me shtatë ditë burgim. Ajo në korrik, në mënyrë të fuqiplotë është dënuar me shumën prej 7 mijë eurosh për shkak të mosrespektimit të gjykatës, sepse në librin e saj “Paqja dhe dënimi” ka publikuar dy dokumente të besueshme gjyqësore nga procesi kundër Sllobodan Millosheviçit.
Hartman refuzoi ta paguajë dënimin dhe për këtë arsye dënimi është zëvendësuar me burgim.
Monday, 26 December 2011 16:40