Lajme Shqip Monday, 26 December 2011 07:00

Shkup-Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kreu i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi deklaron se Marrëveshja e Ohrit nuk po funksionon ndaj si e tillë është e dështuar.

Gjatë intervistës Thaçi shprehu sërish kritika për ligjin e fundit mbi përdorimin e flamurit dhe gjuhës shqipe duke thënë se këto ligje janë edhe më keq se ato në kohën e komunizmit.

Duke folur për çështjen e emrit kushtetues mes Shkupit dhe Athinës, Menduh Thaçi tha se shqiptarëve u leverdis më shumë se Greqisë ndryshimi i emrit të Maqedonisë dhe se një gjë e tillë pa diskutim që do të ndodhë.

Thaçi shtoi se nuk ka asnjë konflikt personal me rivalin e tij politik, kreun e BDI-së Ali Ahmeti duke pranuar se duhen përmirësuar raportet me të dhe se nevojitet më shumë bashkëpunim mes partive shqiptare. Por ai vleresoi rolin e partisë shqiptare në qeveri të pafuqishëm dhe që rrezikon të kthejë prapa pozitën e shqiptarëve në Maqedoni. (LajmeShqip.com)