Vlorë-Rreth 1700 emigrantë shqiptarë, që jetojnë e punojnë jashtë vendit, u kthyen sot me tragetet e linjës detare Brindisi-Vlorë për të kaluar në vendlindje festat e fundvitit.
Burime zyrtare të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur se e diela shënoi fluksin më të lartë të ardhjes së emigrantëve me tragetet e linjës detare përmes Portit të Vlorës, ndërkohë që numri i tyre ka shënuar rritje të vazhdueshme gjatë këtyre ditëve.
Mësohet se mijëra emigrantë të tjerë presin në portin e Brindisit për të udhëtuar drejt Vlorës. Nga ana tjetër, numri i emigrantëve që janë kthyer nga Italia përmes pikës kufitare të portit të Vlorës për festat e fundvitit është më i larti krahasuar me një vit më parë.
“Për periudhën 15-25 dhjetor, në pikën kufitare të këtij porti kanë hyrë rreth 8000 emigrantë, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky numër ishte rreth 7 mijë të tillë. Por, fluksi i ardhjes së emigrantëve vazhdon të jetë i lartë dhe pritet të dyfishohet”, saktësuan burimet.
Ndërsa për të përballuar këtë fluks, autoritetet portuale prej disa ditësh kanë nisur zbatimin e një programi të detajuar masash, të cilat synojnë parandalimin e mbingarkesave dhe të radhëve të gjata në mjediset portuale, si dhe krijimin e kushteve të nevojshme për përpunimin normal të trageteve
Për të menaxhuar sa më mirë situatën e krijuar në prag të festave të fundvitit është bashkërenduar puna me strukturat që operojnë në port, mes të cilave degën e doganës, kapitenerinë, drejtorinë e portit, policinë e rendit. Aktualisht, janë vënë në punë 8 sportele, prej të cilave 4 për verifikimin e dokumentacionit të automjeteve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 25 December 2011 19:52