Lajme Shqip Sunday, 25 December 2011 18:56

Tiranë-Presidenti Bamir Topi uroi të dielën gjithë shqiptarët në ditën e Krishtlindjes, një ditë që siç u shpreh ai,”inspiron më shumë paqe, më shumë dashuri, më shumë harmoni”.

I shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, Presidenti vizitoi Selinë e Kryepiskopatës së Hirshme të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë në Tiranë.

Por krahas urimit për Krishtlindjen, kreu i shtetit drejtoi edhe një mesazh për klasën politike në vend, për më shumë dialog në 2012-ën.

“Në këtë ditë ka nevojë për refleksion, të gjithë duhet të reflektojnë në këtë ditë të madhe. Unë besoj që viti që vjen duhet të jetë i mbushur me më shumë dialog, më shumë komunikim, më shumë arritje për Shqipërinë”-tha presidenti Topi për mediat pas vizitës në kishën Ortodokse.

Kreu i shtetit theksoi se të gjithë duhet të reflektojmë në këtë ditë të madhe dhe besoj se refleksioni nuk duhet të jetë vetëm për një ditë.

Berisha: Uroj që Krishtlindjen tjetër ta festojmë më afër ëndrrave tona

“Le të urojmë bashkarisht që Krishtlindjen tjetër ta festojmë më të begatë, më mirë, më afër endrrave tona”.

Në ditën e lindjes se Jezu Krishtit, Kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, vizitoi Selinë e Kryepiskopatës së Hirshme të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë në Tiranë.

Duke iu drejtuar besimtarëve të krishterë, por edhe të gjithë shqiptarëve, kryeministri Berisha shprehu urimet e përzemërta për besimtarët ortodoksë e të krishtere shqiptarë dhe për gjithë besimtarët e Zotit, që siç u shpreh ai, nderojnë këtë ditë, aktin më madhor të jetës së jetës së shoqërisë njerëzore, lindjen, aktin më të mrekullueshëm.

“Le të falenderojmë Zotin për ndihmën e tij të madhe që u ka dhënë dhe u jep shqiptarëve, të cilët festojnë sot këtë ditë më mirë se kurrë në histoinë e tyre. Le të urojmë bashkërisht që Krishtlindjen tjetër ta festojmë më të begatë, më mirë më afër endrrave tona”, uroi Kryeministri Berisha. 

Topalli: Krishtlindjet, festa e kapërcimit të së pamundurës

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka uruar festën e Krishtlindjeve për të gjithë shqiptarët ku do që janë.

“Po të reflektojmë dhe po të mendojmë se çfarë është Krishtlindja, ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër është kapërcimi i së pamundurës dhe e përkthyer në kontekstin shqiptar kjo është një ditë e bekuar që të inspiron për të bërë të mundura atë që duket gati e pamundur”, tha Topalli.

Kryetarja e Kuvendit dërgoi shumë pergëzime me rastin e Krishtlindjeve jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, por edhe aty që kanë emigruar prej vitesh, si dhe për ushtarët që janë në Afganistan si rojtarë të paqes globale.

Sipas Topallit, Krishtlindjet dhe Viti i Ri janë festat më të bukura të vitit se brënda tyre ka gëzim dhe mbi të gjithë janë festat e gëzimit të fëmijëve. (LajmeShqip.com)