Moskë-U mbajt dje në kryeqytetin rus, protesta më e madhe që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Organizatorët e protestës thanë se në shesh u mblodhën më shumë se 120 mijë persona, ndërkohë që policia është përpjekur ta minimizojë numrin e protestuesve. Sipas saj, në shesh kanë qenë vetëm 29 mijë persona (të njëjtën gjë bënte edhe policia shqiptare gjatë protestave të opozitës, duke ulur numrin e pjesmarrësve).
“Votat tona janë vjedhur dhe ne jemi këtu për thënë: Na e ktheni atë që është e jona. Ne nuk do të heqim dorë nga ajo që na përket. Mos na thoni që të presim deri në vitin 2013. A dëshironi të prisni? (Turma thotë: Jo!”). A dëshironi të prisni një javë? Na i ktheni menjëherë”, tha gjatë fjalës së tij, aktivisti i njohur kundër korrupsionit, Aleksei Navalni.
Lideri i protestës, Alexei Navalny i tha turmës që të duartrokiste fortë, për të treguar se rusët nuk do ta tolerojnë më korrupsionin. “Unë shoh mjaftueshëm persona këtu për të marrë Kremlinin menjëherë, por ne jemi njerëz paqësorë dhe nuk do ta bëjmë këtë, ende jo”, deklaroi Navalny.
Agjencia ruse e lajmeve, Interfax, raportoi se policia e Shën Petërsburgut ka arrestuar disa “provokues”, të cilët po shkonin në protestë.
Protestuesit kërkojnë anulimin e rezultateve të 4 dhjetorit, në të cilat partia e Putinit, Rusia e Bashkuar, mezi ruajti shumicën në Dumën shtetërore, në mes të raporteve për manipulime të mëdha.
Ata, po ashtu, kërkojnë që në zgjedhjet e reja të marrin pjesë edhe partitë që nuk u lejuan të regjistroheshin në ato paraprake. Gjithashtu, kërkohet edhe shkarkimi i zyrtarëve kryesorë të Komisionit Zgjedhor.
Në përpjekje për të zbutur pakënaqësinë në rritje, presidenti Dimitri Medvedev, propozoi të enjten një seri masash reformuese. Duke iu adresuar turmës, figura kryesore e opozitës dhe ish-zëvendëskryeministri, Boris Nemcov, tha se nuk i beson Medvedevit.
“Ne nuk iu besojmë premtimeve të fundit të Medvedevit për reforma politike. Nuk i besojmë atij. Ai tashmë ka premtuar modernizimin, inovacionin, ka thënë se ‘liria është më e mirë se joliria’. Ai shkruan mirë, por është e vërtetë se ai kurrë nuk u bë president”, tha Nemcov.
Ish-ministri i Financave, Aleksei Kudrin, një ish-aleat i ngushtë i Putinit, që dha dorëheqje në fund të shtatorit dhe që nga atëherë ka shprehur mbështetjen për protestuesit, paralajmëroi se Rusia rrezikon një revolucion të ri, nëse nuk do të ketë dialog në mes të Kremlinit dhe protestuesve.
“Jam këtu sot, sepse unë jam për zgjedhje të ndershme. Nuk pajtohem me rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe mendoj se secili që është përgjegjës duhet të japë llogari, madje edhe të përndiqet, si dhe kreu i Komisionit Qendror Zgjedhor, Vladimir Kurov, duhet të shkarkohet”, theksoi Kudrin.
Ai tha, po ashtu, se Duma e re shtetërore duhet të miratojë reformat zgjedhore dhe pastaj të shpërndahet, në mënyrë që të mbahen zgjedhjet e reja.
Kordone të rrepta sigurie rrethuan protestuesit, të cilët është dashur të kalojnë nëpër detektorë të metalit për të shkuar në vendin e protestës, që ishte i rrethuar me barriera metalike.
Një helikopter i policisë fluturonte vazhdimisht mbi masën e tubuar. Megjithatë, protesta në kryeqytet u zhvillua në masë të madhe pa asnjë incident dhe u mbajt në frymë festive.
Sunday, 25 December 2011 08:30 