Lajme Shqip Sunday, 25 December 2011 07:00

Tiranë-Kryeministri Berisha priti sot në takim Presidenten e Republikës së Kosovës, zonjën Ahtifete Jahjaga, e cila bëri një ndalesë në Tiranë gjatë kthimit të saj nga Praga, ku mori pjesë në funeralin shtetëror në nderim të ish- presidentit çek Vaclav Havel.

Zyra e shtypit e qeverisë bëri të ditur se Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i përcjellë presidentes Jahjaga, të gjithë krerëve të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve të Kosovës përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta për festat e fundvitit.

Gjithashtu edhe Presidentja Jahjaga i përcolli kryeministrit Berisha dhe nëpërmjet tij edhe popullit shqiptar urimet më të mira për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2012. 

Të dy bashkëbiseduesit shprehën bindjen se viti i ardhshëm do të jetë për qytetarët e të dy vendeve një vit edhe më i mirë, ku ata do të çojnë përpara e do të progresojnë në projektet e tyre madhore për zhvillim dhe integrim evropian.

Në këtë takim u rikonfirmua vullneti i të dy vendeve për të intensifikuar përpjekjet për konsolidimin e bashkëpunimit dypalësh, por edhe atë rajonal në mënyrë që shqiptarët të shndërrohen gjithnjë e më shumë në një faktor për zgjerimin e bashkëpunimit e miqësisë me të gjithë popujt e rajonit.

Duke u ndalur në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, kryeministri Berisha dhe presidentja Jahjaga ripohuan se në këtë vit jubilar do të kremtohet duke nderuar me solemnitetin më të lartë qytetar dhe respektin më të thellë ngjarjet dhe figurat historike vendimtare që nga Lidhja e Prizrenit deri te pavarësia e Kosovës dhe përpjekjen e sakrificën e kombit që bëri të mundur që sot shqiptarët të jenë më të lirë se kurrë dhe të ecin të vendosur drejt vizionit  të tyre  të ri, atij evropian. (LajmeShqip.com)