Tiranë-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, u shpreh urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, kudo jetojnë e punojnë. 
“Lindja e Krishtit, për besimtarët e krishterë anë e mbanë botës, është një ngjarje, e cila, për madhështinë e saj dhe mesazhin e shpresës dhe të përtëritjes, që për më shumë se dy mijë vjet u ka përcjellë popujve, përkujtohet solemnisht. Nën kambanat e kishës, dritën e qirinjve dhe lutjet e besimtarëve, ky kremtim i shenjtë përjetohet çdo herë, si burimi i një jete më të ndritshme e më të lehtë, që mbart frytet shpirtërore të dashurisë, gëzimit, paqes, durimit, mirëdashjes, besimit, zemërbutësisë”, thekson Presidenti Topi në këtë mesazh.
Kreu i shtetit ve në dukje se në “kushtet e qytetërimit modern, shumë njerëz e humbasin drejtimin e tyre shpirtëror dhe moral, por, për ata që sinqerisht kërkojnë dritën e së vërtetës, besimi tek Zoti dhe tek vlerat më të larta humane do t’ua ndriçojë e lehtësojë udhën”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 25 December 2011 00:11