Kukës – Pavarësisht përpjekjeve që janë bërë për zgjerimin e arsimit të mesëm profesional si një nga rrugët e uljes së papunësisë, në rrethin e Kukësit ky proces është ende në hapat e para. Ndonëse nga specialistët e arsimit është punuar për hapjen e degëve të reja profesionale, proces për të cilin është bashkëpunuar me GTZ-në, deri tani rezultatet kanë qenë të pakta.
Në rrethin e Kukësit aktualisht arsimin profesional e vazhdojnë vetëm 168 nxënës në degët e tekonologji informatikës, në degët mekanik, elektrik, administratë dhe ekonomik. Po ashtu, në këtë arsim japin mësim 12 mësues, ndërsa të gjitha mësimet kryhen në mjediset e gjimnazit “Havzi Nela” të qytetit.
“Në stadin e sotëm është i domosdoshem zgjerimi i arsimit të mesëm profesional si një rrugë efikase për uljen e papunësisë që në këtë zonë është mjaft e madhe”, thotë drejtori i drejtorisë rajonale të arsimit, Ylli Metalia. Sipas tij, “është e domosdoshme zgjerimi i arsimit profesional, bile edhe në zonat rurale”.
Në realitet, papunësia e lartë në radhët e të rinjve është shqetësimi kryesor edhe i strukturave shtetërore e pushtetit vendor në zonën verilindore. Për këtë mjafton të përmendim faktin se numri i të papunëve mes të rinjve në rrethin e Kukësit arrin në mbi 3200 persona, nga rreth 4900 persona të papunë të regjistruar në zyrën e punës e të përkrahjes sociale të rrethit.
Saturday, 24 December 2011 21:30