Lajme Shqip Saturday, 24 December 2011 21:00

Tiranë – Krahas kontrollit për parandalimin e abuzimit me çmimet, Bashkia e Tiranës ka vijuar kontrollet edhe për shitjen e lëndëve të rrezikshme për konsumatorin si fishekzjarre, bombula  gazi jo të sigurta, pesticide etj.

Sipas Agjencisë bashkiake për Mbrojtjen e Konsumatorit (AMK), gjatë muajit dhjetor ka pasur një kontroll me ritëm të lartë në bashkëpunim me disa institucione të pushtetit qendror dhe me ndihmë të policisë Bashkiake, duke bërë edhe sekuestrime të mjaft produkteve jashtë standartit apo sigurisë së kërkuar me ligj.

Drejtori i AMK-së, Geron Ibrahimi, tha sot për mediat se deri tani, janw 146 bombula gazi të sekuestruara nga Inspektoriati Teknik jashtë kushteve të duhura, rreth 147 kuti me kapsolla apo lëndë të tjera plasëse të cilat kanë rrezikshmëri në përdorimin e tyre gjatë sezonit të festave.

Po kështu janë gjobitur 15 subjekteve që tregtonin në kushte jo të përshtatshme këto lloj produktesh. Gjithashtu në këtë process, sipas Ibrahimit. u janë sekuestruar 15 shitësve ambulantë lëndë pesticide, të rrezikshme për jetën e qytetarëve të Tiranës dhe konsumatorin. Kontrollet janë shtrirë tek të gjitha subjektet dhe do të vijojnë deri në fund të vitit.

“Gjithashtu në këtë proces janë sekuestruar tek 15 shitës ambulantë lëndë pesticide, të rrezikshme për jetën e qytetarëve të Tiranës dhe konsumatorin. Inspektimet do të vijojnë me rritëm të lartë deri në datën 31 dhjetor, të organizuara me dy grupe me bashkëpunimin edhe të mjaft institucioneve qendrore.  Ne po monotorojmë të gjithë qytetin e Tiranës, bashkë me ndihmën e Policisë Bashkiake, edhe shitësat ambulantë apo të palicensuar, për të respektuar çdo normë. Në këtë kontekst aksioni ka qene kompleks dhe ka përmbledhur çdo gjë”, tha Ibrahimi.

Ndërkohë Taks-Forca e Bashkisë së Tiranës vijon kontrollin e përditshëm ndaj çmimeve në tregjet e kryeqytetit. Më monitorimin e sotëm nuk janë vërejtur luhatje të çmimeve në tregje. Bashkëngjitur keni tabelën e çmimeve të produkteve të shportës.