Lajme Shqip Saturday, 24 December 2011 19:00

Tiranë – Nata e bekuar e lindjes së mëshiruesit të paqes dhe idhullit të botës, birit të Perëndisë do të përkujtohet sonte duke u gdhirë e dielë në të gjithë Shqipërinë.

25 dhjetori, dita e shënuar e lindjes së Jezu Krishtit, e cila kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore, edhe në Shqipëri, mbas viteve ’90-të kur u lejua besimi fetar, krijoi traditën e saj duke u shënuar krahas festave të tjera tradicionale në kalendarin e vitit.

E para që e ndien atmosferën festive të kësaj feste mijëravjeçare në Shqipëri, është Tirana. Dhe siç është bërë tashmë traditë mijëra besimtarë të krishterë dhe katolikë të Tiranës do të jenë gjatë natës të së hënës në kishat ortodokse dhe katolike për të përkujtuar me madhështi dhe devocion, lindjen e Krishtit dhe për t’u lutur për atë.

Me qirinj të drejtuar nga qielli, duke u lutur për paqe dhe qetësi , dashuri dhe gëzim besimtarët do të kryejnë ritet fetare, rreth mesnatës në një atmosferë festive.  Por megjithëse e respektojnë, jo të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë i kremtojnë Krishtlindjet në shtëpitë e tyre pavarësisht se në reklama, televizione, në urime, dhe kudo, atmosfera e kësaj feste të jep përshtypjen e një feste kolektive.

Ndërkohë atmosfera universale që ka kjo festë në botë, gjithsesi të josh për të menduar për Krishtlindjet. Sapo afron fundi i vitit, në të gjitha televizionet shfaqen reklama që lidhen me “dëborën”, “zilet e plakut të Krishtlindjeve apo siç quhet Plaku i Vitit të Ri”, “dhuratat”, dhe në fund me fjalën “Urime”, natyrisht në një ambient që tregon festime.

Kështu Krishtlindjet natyrshëm shndërrohen në një festë kolektive, vetëm në urime dhe në atmosferën përreth, por jo brenda të gjitha shtëpive.

Reklamat dhe tregtarët synojnë të shesin mallin, njerëzit të prirur ndaj tendencës kolektive për të kremtuar një festë kuptimin e së cilës jo të gjithë e konceptojnë siç duhet, janë “peshqit” që kapen kollaj në fund të çdo viti, nga grepat e tregtarëve. Të festosh një festë është shumë bukur, por kur e feston atë pa ia ditur kuptimin, është diçka pa shumë vlerë, veç faktit që shndërrohet çdo vit në të njëjtën kohë me një ritualitet perfekt, në një festë konsumi…

Besimtarët ortodoksë, katolikë dhe protestantë (këta të fundit tashmë i gjen mjaft të organizuar në shoqërinë shqiptare),  janë ata që me të vërtetë janë të përkushtuar ndaj besimit të tyre, priren të jenë më aktivë gjatë Krishtlindjeve.

Krishti lindi në një ambient shumë të varfër. Gjatë gjithë kohës një yll shndriste në qiell, i cili u tregonte disa dijetarëve rrugën që duhet të ndiqnin për t’i bërë homazhe “Mbretit të Izraelit”. Pas kësaj, Herodi mbreti i Izraelit, (ai i organizimit shtetëror, politik i Izraelit, jo mbreti shpirtëror), vendosi të përndiqte këtë “Mbret të ri”…

Këto pjesë të një historie që vazhdon të tregohet sa herë që vjen koha e Krishtlindjeve në festa, koncerte apo filma, dhe shfaqje të tjera, kanë në vetvete secila një mesazh. Ambienti i varfër: tregon thjeshtësinë e Jezu Krishtit, i cili edhe pse Zot, preferoi të ishte sa më afër njerëzve, larg pompozitetit, luksit, etj. Ylli: tregon një profeci të vjetër për një homazh që nuk mund të kuptohet nga njerëzit.  Dijetarët që ndiqnin yllin kishin me vete dhuratat më të shtrenjta për atë kohë, ar, temjan, dhe vajra të shtrenjta. Në fund, gjithçka përmblidhet në një mallkim (!) Sipas shkrimeve të Biblës, në momentin e mëkatit të parë, Zoti mallkoi njëherazi femrën (Evën), mashkullin (Adamin) dhe gjarprin (Djallin). Mallkimi për gjarprin ishte: Një pasardhës njeri i gruas (Evës, asaj që ai kishte mashtruar më parë), do të lindë, edhe pse ti do duash ta vrasësh, dhe do të të shtypë kokën. Në shkencën e Teologjisë, ky mallkim ka një kuptim të thjeshtë. Njeriu, pasardhës i Evës, ishte Jezu Krishti, i cili erdhi si njeri në Tokë për të pajtuar njerëzit me Zotin pas mëkateve të tyre. Do të vdiste në kryq, dhe kështu njerëzit do të pajtoheshin me Zotin. Pas kësaj ai (djalli) nuk do të kishte më fuqi ndaj tyre (njerëzve), sepse ata mund të shpëtoheshin nëpërmjet gjakut të Jezusit (duke e pranuar vdekjen e tij).

Gjithsesi Krishtlindjet nuk  hynë në popull si një festë e krishterë, pasi ato si të tilla janë festuar shumë më vonë (në shekullin e katërt), kur perandori Kostandin e dekretoi kristianizmin si fe zyrtare të Romës.

Romakët nga ana tjetër në këtë periudhë të vitit festonin Saturnalet, një festë pagane për nder të Hyut Saturn, zoti i agrikulturës. Kjo ishte një periudhë në të cilën jetohej në paqe, shkëmbeheshin dhurata dhe nuk merreshin parasysh ndarjet sociale.  Para se të nisnin të festoheshin Krishtlindjet në vendet e Perandorisë Romake festoheshin gjerësisht festat pagane, dhe në këtë periudhë të vitit festohej festa e Diellit, hyjnisë së Dritës Mitra, ndërsa si periudhë përkonte me solsticin e dimrit, pra ditën më të shkurtër të vitit, pas së cilës dita do të niste të merrte orë nga nata.

Edhe tradita e dritave të Krishtlindjeve mendohet të ketë një prejardhje pagane. Zanafilla e saj haset për herë të parë, kur Perandori Aurelian vendosi që të festohej dita e diellit, festime të cilat zgjasnin 12 ditë, duke filluar nga data 25, gjatë të cilave do të digjej një pishtar.

Mënyra e festimit të Krishtlindjeve sot e ka origjinën nga festat borgjeze të shekullit të kaluar në të cilat përdoreshin krahas simboleve të krishtere edhe ato pagane. Darka e Krishtlindjeve e cila është e bollshme, paraprihet nga një ditë agjërimi, gjatë së cilës përgatiten ushqimet që do të serviren në mbrëmjen e festës. Si simbole të këtyre festave njihet prezepeja (simbolikisht stalla ku lindi Jezu Krishti) dhe pema e vitit të Ri, e cila zbukurohet me sende dhe dhurata nga më të ndryshmet.  Festimet vazhdojnë deri në ditën e fundit të vitit dhe me nisjen e Vitit të Ri festohet një tjetër festë, ajo e Epifanisë (6 janar), gjatë të cilës vendet e lindjes festonin ditën e pagëzimit të Krishtit.

Që këtej e ka origjinën edhe figura e shtrigës së mirë Befanës, e cila e hipur mbi një fshesë u shpërndan dhurata fëmijëve në të gjithë botën.