Prishtinë-Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, tha se viti 2012 e ka për prioritet fundin e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës. Këtë deklarim e bëri në konferencën e fundvitit me gazetarë ku prezantoi punën e Ministrisë së Drejtësisë gjatë viti 2011.
Siç raporton RTK, Kuçi tha se për dikasterin që ai drejton sfidë mbetet funksionimi i gjykatave në veri.
Ministria e Drejtësisë ka shënuar një progres më të ngadaltë në funksionimin e gjykatave në veri dhe kjo për faktin e zhvillimeve politike atje, tha Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi.
Këto konstatime të Ministrit dolën gjatë konferencës së fundvitit me gazetarë, ku prezantoi punën e dikasterit që ai drejton gjatë vitit 2011.
Kuçi tutje tha se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë, kanë filluar angazhimet e para në aktivizimin edhe veri.
“Çështja e veriut është më tepër punë politike dhe e sigurisë sesa e drejtësisë. Duhet të krijohet ambienti politik dhe i sigurisë. Gjyqtarët dhe prokurorët tanë dhe stafi administrativ është i gatshëm t”i kryejë detyrat e veta. Tani më ka aktakuza për personat që kanë bërë shkelje të ligjit atje dhe tani më ka edhe fletarreste ndaj personave që kanë bërë veprime të tilla”, ka thënë Kuçi.
Një çështje tjetër me rëndësi, sipas Ministrit Kuçi, mbetet përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, e cila mund të ndodhë gjatë viti 2012.
“Një çështje që parashihet për vitin tjetër është përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur ku parashihet bartje e kompetencave nga institucionet ndërkombëtare tek ato vendore, përfshi edhe kompetencat e EULEX-it, për çfarë Ministria e Drejtësisë do t”i kryejë të gjitha obligimet e veta, duke ngritur kapacitete e veta, duke siguruar kuadrin profesional dhe duke ndërtuar infrastrukturën adekuate ligjore”, shtoi Kuçi.
Ndërsa, lidhur me bartjen e kompetencave nga institucionet ndërkombëtare tek institucionet vendore, Ministri i Drejtësisë, tha se Ministria ka hartuar një dokument, i cili i është dërguar edhe Brukselit, e në të cilin në mënyrë të detajuar janë paraqitur procedurat e bartjes së kompetencave nga ndërkombëtarët tek vendorët.
Saturday, 24 December 2011 17:05