Lajme Shqip Saturday, 24 December 2011 15:58

Zveçan – I ashtuquajturi kryetar i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviç, iu bën konak grupeve radikale e terroriste serbe të cilat në territorin e Serbisë janë të ndaluar.

Milloviç këtyre grupeve u ka ofruar edhe dy shtëpi për banim, qiranë e të cilave e ka paguar komuna e Zveçanit, thonë burimet. Media serbe e veriut të Kosovës ka raportuar të shtunën se, ndërkohë që në Serbi vazhdojnë debatet pranë Gjykatës Kushtetuese për ndalimin e lëvizjes djathtiste serbe “1389”, anëtarët e saj pa asnjë kufizim apo ndërhyrje zbatojnë aksione në veri të Kosovës.

Kjo lëvizje ka marrë pa qira banesa në Zveçan nga autoritetet lokale, “duke u përgatitur për të mbrojtur Kosovën me çdo çmim”. Sipas mediave serbe në muret e banesave, ku jetojnë anëtarët e kësaj lëvizje fashiste, janë ngjitur fotot e të akuzuarve për krimet më të mëdha të bëra në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç.

Mediat citojnë një anëtar të kësaj lëvizje terroriste të ketë thënë se, “Unë jam Darko Panoviç, anëtar i Lëvizjes Kombëtare Serbe ‘1389 ‘. Ne jemi aktualisht në pjesën veriore të Kosovës. Këtë e konsiderojmë territor të okupuar dhe i kemi të gjitha të drejtat e mundshme që ta çlirojmë me të gjitha mënyrat e mundshme.”

Edhe pse “1389” cilësohet nga organet kompetente të Serbisë si një nga grupet potencialisht më të rrezikshëm djathtist, askush në Serbi nuk ka reaguar ndaj aktiviteteve të tyre të organizuara në veri të Kosovës. Ata bëjnë plane pa probleme edhe për ditët pas barrikadave, raportojnë mediat. Ndërkohë lideri i kësaj lëvizje “1389”, Misha Vaçiç, ka deklaruar nga Beogradi për mediat se “në barrikadën e Rudares kemi vendosur shtabin dhe qendrën tonë koordinuese”.