Prishtinë – Përkeqësimi i motit ka rënduar edhe më tej gjendjen e banorëve të Bistricës, Cerajës dhe Koshtovës, tri fshatrave shqiptare të Leposaviçit, në veri të Kosovës, të cilët prej korrikut nuk mund të shfrytëzojnë për qarkullim rrugën magjistrale drejt Mitrovicës, për shkak të barrikadave.
Kërkesë e tyre kryesore mbetet largimi i barrikadave dhe krijimi i mundësive për të lëvizur lirshëm. Për këto probleme është mbajtur të premten, një takim i përbashkët në Bistricë ndërmjet zyrtarëve të Komunës së Mitrovicës, të Drejtorisë rajonale të policisë, atyre të stacionit policor të Leposaviçit dhe banorëve të këtyre fshatrave.
Banorët u ankuan për mungesë të furnizimeve si pasojë e bllokimit të rrugëve. Lulzim Hetemi, nga fshati Bistricë, tha se gjendja e banorëve në përgjithësi është e rëndë, meqë prej korrikut kanë mbetur të izoluar.
“Këto tri fshatra janë vendi i vetëm në Evropë ku njerëzit jetojnë të izoluar”, tha ai. Po ashtu, ai theksoi se si pasojë e bllokimit të rrugës magjistrale, gjatë këtyre muajve kanë shfrytëzuar për qarkullim drejt Mitrovicës një rrugë malore, por gjendja e saj është e keqe dhe në rastet kur përkeqësohet moti bëhet e pakalueshme.
Edhe Haki Imeri, përfaqësues i zyrës së komuniteteve në këto fshatra përmendi hallet e banorëve si pasojë e gjendjes së krijuar. Ai tha se shumë herë mësimi në shkollë nuk mbahet për shkak se arsimtarët që udhëtojnë për në Mitrovicë nuk mund të kalojnë rrugën malore.
Ndërsa, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se, me mundësitë që ka, komuna do të mbështes këta banorë. “Ne kemi ndihmuar me ushqime tri herë banorët e këtyre fshatrave, mandej edhe për rregullimin e rrugës, por nevoja e tyre mbetet e madhe”, tha ai, duke shtuar se do të bëhet gjithçka që në bashkëpunim me institucionet qendrore të jenë pranë këtyre banorëve.
Saturday, 24 December 2011 11:40