Lajme Shqip Saturday, 24 December 2011 11:00

Nju Jork – Media amerikane po i kushton një vëmendje të madhe zhvillimeve në Korenë e Veriut pas ndarjes nga jeta të diktatorit komunist Kim Jong II, i cili për 17 vite drejtoi këtë vend të varfër komunist me ambicien për ta shndërruar në një fuqi bërthamore.

Pamjet që transmetohen në median vizive tregojnë se Korea e Veriut është në zi për vdekjen e diktatorit 69 vjeçar fundjavën e kaluar dhe që do të përcillet në banesën e fundit në 28 dhjetor si një “Udhëheqës i Dashur”. Imazhet tregojnë qytetarët e pikëlluar në rrugët e kryeqytetit Penian, pavarësisht se vuajnë nga varfëria e tejskajshme si pasojë e një izolimi 63 vjeçar.

Korea e Veriut ka pasur vetëm dy liderë në 63 vitet e fundit kur vendi u nda nga Koreja e Jugut dhe nga ajo kohë vazhdon të qeveriset nga një regjim që prej analistëve vlerësohet si Stalinist.

Si “themelues” i Koresë së Veriut njihet Kim II Sung, i ndarë nga jeta në vitin ’94. Pushtetin e trashëgoi i biri i tij Kim Jong II, “i fiksuar pas armëve bërthamore për të mbrojtur Korenë e Veriut, nga kërcënimi i vendeve të mëdha”. Me vdekjen e Kim Jong II, dinastia besohet se do të drejtohet nga i biri i tij, Kim Jong Eun, një 30 vjeçar i shkolluar në Zvicër dhe Gjermani.

Fakte si këto dhe të tjera kanë zënë vend në median amerikane, ndërsa analistët dhe ekspertët përpiqen të supozojnë zhvillimet e ardhshme në Korenë e Veriut, nën drejtimin e pasardhësit Kim Jong Eun, megjithëse natyra e mbyllur e vendit i komplikon llogaritjet.

Vëzhgues të politikës së jashtme mendojnë se kjo periudhë tranzicioni për Korenë e Veriut do të jetë e pasigurt dhe me rrezik në rritje për planin bërthamor.

Për më tepër që, një javë para se diktatori Kim Jong II të ndërronte jetë, në median shtetërore të vendit transmetoheshin lajme për progresin e Koresë së Veriut në fushën e armëve bërthamore. Peniani zyrtar paralajmëronte gjithashtu vendet e tjera që të mos ndërhynin në punët e tij dhe kërcënonte se do ta kthente në “një det zjarri” kryeqytetin e Koresë së Jugut, një vend aleat i Shteteve të Bashkuara.

“Zyrtarët amerikanë të inteligjencës dhe ushtrisë nuk presin ndonjë ndryshim dramatik në qëndrimin bërthamor të Koresë së Veriut, pas vdekjes së Kim Jong II”, citohet në një artikull të botuar në Washington Post.

Korea e Veriut, nën drejtimin e Kim Jong II, ka qenë gjithmonë nën presionin e ndërkombëtarëve për t’u tërhequr nga ambiciet e armëve bërthamore. Vlen të përmenden negociatat e SHBA, Japonisë, Kinës, Rusisë dhe Koresë së Jugut për mbylljen e programit bërthamor në shkëmbim të ndihmave humanitare, ndërsa Këshilli i Sigurimit në Kombet e Bashkuara ka miratuar në të kaluarën dhe sanksione kundër Penianit, por ato nuk kanë pasur ndikim të dukshëm.

Referuar zhvillimeve të tilla, gjykojnë analistët, liderët e rinj të Koresë së Veriut nuk do të binden lehtë të bien në ujdi për tërheqjen nga një “aset” i tillë.

Në një artikull të botuar në New York Times thuhej se shërbimet aziatike dhe amerikane të zbulimit kanë dështuar para se të kuptonin zhvillimet domethënëse në Korenë e Veriut. Peniani ndërtoi një fabrikë për pasurimin e uraniumit, që nuk u zbulua për rreth një vit e gjysmë, deri sa zyrtarë të Koresë së Veriut ia treguan atë në fund të vitit 2010 një shkencëtari amerikan për çështjet bërthamore. Veriu gjithashtu ndihmoi në ndërtimin e një reaktori bërthamor në Siri, pa u kapur nga shërbimet e inteligjencës perëndimore.  Peniani, sipas ekspertëve, i ndan informacionet sensitive me një rreth të ngushtë zyrtarësh, të cilët nuk flasin.

“Kjo është një shoqëri që lulëzon në terr”, ka thënë për New York Times Christopher R. Hill, ish i dërguari special, i cili negocioi me  Korenë e Veriut mbi ndalimin e programit bërthamor. “Eshtë shumë komplekse; vijon ai. Për të kuptuar strukturën e udhëheqjes duhet të shohësh prapa në kulturën e Koresë, për të kuptuar parimet Konfuciane”.

Këtë tranzicion të papritur në Korenë e Veriut, qeveritë demokratike do të donin ta shikonin si një mundësi për regjimin koreano-verior që të hyjë në bisedime me komunitetin ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjeve kritike për vendin, ndër të cilat çështja e ushqimit, liberalizimi i ekonomisë dhe kufijve, dhe mbi të gjitha në rikthimin e bisedimeve për çarmatimin bërthamor. Të gjitha këto janë sfida për pushtetmbajtësin e ri të Koresë së Veriut, Kim Jong Eun, për të cilin janë hedhur disa supozime. Krahasuar me babanë e tij, Kim Jong Eun besohet se ka më shumë motivim për reforma, duke marrë këtu në konsideratë moshën e re dhe vitet që ka jetuar jashtë vendit. Nga ana tjetër Kim Jong Eun konsiderohet shumë i ri dhe i pa testuar që të fusë me besim këmbët në këpucët e të atit. Disa aludojnë se Kim i riu mund të drejtojë me një lloj Regjence, në të cilin pushteti i vërtetë do të mbahet nga zyrtarët ushtarakë, apo kunati i besuar Kim Jong II.  Një marrëveshje e tillë, gjykojnë analistët, është një tranzicion i paqëndrueshëm, në të cilën askush nuk është në krye (në drejtim) dhe si pasojë kontrolli i programit bërthamor bëhet edhe më i errët. Ekspertët e shohin si skenarin më të keq që populli koreano-verior të vazhdojnë të mbetet i uritur dhe udhëheqësit e tyre të vazhdojnë të zhvillojnë armë bërthamore dhe të jetojnë në luks.