Lajme Shqip Saturday, 24 December 2011 09:30

Tiranë- Presidenti Bamir Topi, tha mbrëmë se, do të rikandidonte për postin e Presidentit vetëm në rast se ai do të zgjidhej nga populli.

I ftuar në një emision televiziv, Topi tha se, “gjithmonë ka qenë inkurajues i rotacioneve politike, pasi në një vend si Shqipëria që kalon nje tranzicion, gjithmone ka nevojë për një qarkullim të elitave”.

“Në atë pozicion do të vijë dikush tjetër. Do të ishte ndryshe, vetëm nëse ky post do të ishte një vendim i popullit. Për sa kohë kjo është një çështje që i takon partive politike le ta bëjnë sipas asaj formule që do ta zgjedhin Presidentin me një maxhorancë të thjeshtë. Opsioni që unë i referohem është ai i zgjedhjes së Presidentit nga populli”, tha Topi.

I pyetur mbi mundësinë e krijimit të një partie të re, Topi tha se nuk dëshiron që gjatë periudhës që është President të denatyrojë rolin e Presidentit. “Sa kohë unë do të jem President do të jem në ushtrim të detyrës dhe kompetencave të Presidentit”, tha Topi.

Ndërkohë, ai pranoi se opsioni më i mundshëm është që t’i kthehet jetës politike dhe të jetë në politikë.

“E di që ka një frymë që diskutohet dhe përcillet, pasi nuk mund të bëjë rolin e njeriut që nuk dëgjoj dhe nuk shikoj. Por unë deri në korrik të vitit 2012 me vullnetin tim do të jem në zbatim të detyrimeve kushtetuese”, tha Topi.

Topi nuk pranoi as të komentojë mundësinë e kandidimit të liderit historik të PS-së, Fatos Nano për postin e Presidentit. “Nga ky pozicion që jam nuk mund të shprehem për asnjë kanidaturë”, tha ai.

Ndërkohë Topi tha se, Presidenti i ardhshëm duhet të jetë një njeri tolerant, konseguent në zbatimin e rregullit të artë për atë pozicion, që është shkëputja nga interesat e partive dhe të jetë në mbrojtje të institucioneve të pavarura.

Topi: Ndryshimet kushtetuese të 2008-ës shënuan krisjen me Berishën

Presidenti i Republikës, Bamir Topi deklaroi se situata e krijuar për miratimin e ndryshimeve kushtetuese në vitin 2008, mund të ketë shënuar edhe pikën e ftohjes së marrëdhënieve të tij me kryeministrin, Sali Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike.

I ftuar në emisionin “Tonight” në televizionin Ora News, Kreu i Shtetit komentoi ndër të tjera edhe marrëdhëniet e tij me kreun e PD-së.

“Unë kam vlerësim për të gjithë kolegët e mi, pavarësisht se si vijnë rrjedhat dhe konjukurat politike. I takon gjithësecilit të bëjë një chek up për veten e tij, për mënyrën e sjelljes dhe komunikimit”, tha Topi.

Ai tha se, “vazhdimisht ka pasur një komunikim institucional dhe asnjëherë nuk ka menduar të gjejë se ku është pika e thyerjes me Berishën, por mesa duket momenti i ndryshimeve kushtetuese në vitin 2008 është momenti kur filloi kjo situatë”.

Kreu i Shtetit tha se, përfaqësuesit e maxhorancës dhe opozitës bënë ndryshimet kushtetuese pa u konsultuar në asnjë moment me Kryetarin e Shtetit.

“Është e drejta e grupeve parlamentare të bëjnë ndryshimet kushtetuese, por ishte një detyrim që vinte nga pozicioni im kushtetues që këto ndryshime të konsultoheshin. Ndryshimet kushtetuese sollën edhe një atakim të drejtëpërdrejtë të kompetencave të Presidentit, aq sa u diskutua edhe kundër reagimi ndaj dekreteve të Presidentit”, tha Topi.

Sipas Topit, në sajë të ndryshimeve kushtetuese, vendimarrjet politike kanë ardhur duke u koncentruar në një vendimarrje individuale të kryetarit të partisë.

Duke u rikthyer pas në momentin e zgjedhjes së tij në postin e Presidentit (2007), Topi tha se kjo ka qenë një ofertë e kryeministrit Sali Berisha, ndërsa theksoi se votimi për zgjedhjen e tij ka qenë një proces tepër korrekt.

Sipas tij, të gjitha problemet që lindin mes institucioneve kryesore shqiptare vijnë si rezultat i mungesës të komunikimit.

“Pavarësisht nga emocionet e komunikimit, institucioni duhet të funksionojë ndaj marrëdhëniet kanë qenë tërësisht institucionale. Unë asnjëherë nuk kam ndryshuar, por i takon të tjerëve të thonë pse kanë ndryshuar. Unë nuk kam fyer asnjëherë kundërshtarët”, tha Topi.

Përsa i përket reformës zgjedhore, Topi tha se, pavarësisht njohurive relativisht të thella për sistemet zgjedhore, pasi ka qenë pjesë e komisioneve parlamentare për reformën zgjedhore, pozicioni aktual nuk i lejon të shprehet për llojin e sistemit zgjedhor.

“E rëndësishme është që reforma të bëhet në kohë, pasi asnjëherë ligji për zgjedhjet nuk ka qenë i keq, por problemi qëndron te zbatimi”, tha ai. (LajmeShqip.com)