Lajme Shqip Friday, 23 December 2011 19:48

Prishtinë-Komisioni Evropian aprovoi programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Ministria kosovare e Integrimit Evropian njoftoi sot se në kuadër të Komponentes së dytë të Instrumentit të Para-antarësimit (IPA) të Komisionit Evropian, e cila ka të bëjë me Bashkëpunimin Ndërkufitar (BNK), është aprovuar programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA në mes të Kosovës dhe Malit të Zi për periudhën 2011-2013.  

Me publikimin e Komunikatës së Komisionit Evropian “Kosova – Përmbushja e perspektivës Evropiane” më 14 tetor 2009, Kosovës i është mundësuar përfshirja në komponentin e dytë të IPA-së që është Bashkëpunimi Ndërkufitar.

Në shkurt të vitit 2011 Kosova ka finalizuar dokumentin e programit për Bashkëpunim Ndërkufitar me Malin e Zi.

Qëllimi i përgjithshëm i programit është të promovojë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve dhe institucioneve të zonave kufitare me qëllim, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, mbrojtjen e ambientit dhe kohezionin shoqëror.

Programi i bashkëpunimin ndërkufitar me Malin e Zi do të zbatohet përmes skemës së granteve, që do të jenë të hapura për komunat, shkollat, shoqërinë civile dhe asosacionet e ndryshme që gjenden në zonën kufitare me Malin e Zi.

Ky program i cili financohet nga fondet e IPA të Komisionit Evropian ka në dispozicion 1.8 milion euro për Kosovën ndërsa totali është 3.6 milion euro për të dyja anët e kufirit dhe do të zbatohet gjatë tre viteve të ardhshme. (LajmeShqip.com)