Lajme Shqip Friday, 23 December 2011 18:00

Pragë – Në Pragë sot në kishën Shën Vit, në Kështjellën e Pragës, u mbajt ceremonia e varrimit të ish-presidentit të Republikës së Çekisë Vaclav Havel.

Në mesditë për një moment u ndal rrjedha normale e të jetuarit të çekëve dhe me një minutë heshtje i dhanë nderimet ish-presidentit të tyre.

Ai si lider i Revolucionit të kadifesë në vitin 1989, me të cilën u largua pushteti komunist prosovjetik, bëri kthesë në Çekosllovakinë e atëhershme.

Në ceremoni morën pjesë delegacione nga 42 vende, të kryesuara nga 16 presidentë të tanishëm dhe tre ish-presidentë, midis të cilëve edhe presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov.

Në fillim të ceremonisë së lamtumirës, u lexua letra e papës Benedikti i Gjashtëmbëdhjetë, i cili shprehi respekt ndaj të ndjerit Havel dhe “lidershipit të tij vizionar në krijimin e demokracisë pas rënies së regjimit komunist”. Në letrën, papa vlerësoi luftën e Havelit për të drejtat e njeriut në kohën e totalitarizmit.

Presidenti aktual çek, me fjalimin e tij, përkujtoi se në Kabinetin presidencial ka ardhur pas Vaclav Havel. Sipas tij, me Havelin po shkon një president, intelektual, artist dhe njeri për të cilin vendi do ta kujtojt me nderim, falënderim dhe respekt.

“Nuk jemi popull i madh dhe për këtë arsye nuk kemi personalitete të mëdha për dhurim, por edhe krahas kësaj shpeshherë kemi bërë që veprat e tyre të zvogëlohen dhe deformohen”, tha Klaus, duke shtuar se kjo nuk do të ndodh me veprat e Havelit.

Ministri çek i Punëve të Jashtme Karel Shvarcenberg, duke iu drejtuar të pranishmëve tha se nuk do të flet për veprat dhe për meritat e Havelit për shkak se gjatë ditëve të kaluara për të kanë folur politikanë të theksuar. Ai nënvizoi se premton që nuk do të ndalet me luftën për drejtësi dhe dashuri, siç çdoherë potenconte Haveli.

Mikja e tij personale, Medlin Olbrajtish, ish-sekretare amerikane e shtetit, tha se Havel lirinë e ka vlerësiar si mjet, me të cilin mundësohet fitore e drejtësisë, e jo si qëllim për vete.

“Të paktë janë ata që ishim çekë më të mëdhenj se Vaclav Haveli”u përshëndet Olbrajt në gjuhën e saj çeke nga ish-presidenti Havel.

Në nder të kujtesës së Havelit para kufomës së tij u përkulën sekretarja amerikane e shtetit Hilari Klinton, bashkëshorti i saj, ish-presidenti amerikan Bill klinton,  presidenti francez Nikolla Sarkozi dhe kryeministri britanik Dejvid Kameron.

Në varrim mori pjesë edhe ikona e luftës kundër komunizmit në Poloni, Leh Valensa.

Disidenti, eseisti dhe dramaturgu, Vaclav Havel ishte presidenti i fundit i ish-Çekosllovakisë, i cili e mbikëqyrte ndarjen e vendit të tij në vitin 1993 të Çekisë dhe Sllovekisë si dhe presidenti i parë i Çekisë së pavarur e udhëhoqi në rrjedhat kryesore të politikës evropiane.

Havel, i cili angazhohej për ndërtimin e shoqërisë qytetare të mbështetur në ndershmëri dhe humanizëm gjithë jetën mbeti luftëtarë për të drejtat e njeriut dhe për demokracinë në vend si Kuba, Rusia, Kina dhe Bjellorusia.

Trupi i Havelit, i cili në moshën 75-vjeçare vdiq më 18 dhjetor do të digjet në krematorium, ndërsa varrimi i hirit, sipas dëshirës së familjes së tij, do të bëhet pas festave të Krishtlindjeve. Havel do të pushojë në varrin familjar, afër bashkëshortes së tij të parë Ollga, në varrezat e Pragës, Vinohradi.