Tiranë – Zhvillimi i projektit të Korridorit 8, rritja e shkëmbimeve tregtare përmes portit detar të Durrësit, mbeten prioritetet kryesore të bashkëpunimit ekonomik me interes të përbashkët mes Maqedonisë me Shqipërinë.
“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë janë në nivel të duhur dhe duhet të punojmë së bashku për marrëdhënie më të mira ekonomike, që janë e ardhmja e rajonit, pasi bashkëpunimi ekonomik zvogëlon importet e mëdha nga vendet e tjera”, u shpreh sot në Tiranë ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraçini, në takimin me homologun shqiptar, Nasip Naço.
Saraçini, prej 4 muajsh ministër i Ekonomisë në Maqedoni, kryeson një delegacion zyrtar ku bëjnë pjesë drejtues të biznesve të vendit fqinj.
“Kemi projekte të mëdha të përbashkëta në infrastrukturën rrugore, hekurudhë dhe energjetike, ku prioritet po i japim Korridorit 8-të”, tha Saraçini.
Ai shpjegoi se qeveria e Maqedonisë po punon për një model me tre faza për zhvillimin e Korridorit 8-të për infrastrukturën rrugore. “Po mundohemi të gjejmë një model me tre faza: koncesion, kredi mes BERZH-it dhe BEI-t si dhe modernizimin e zgjerimin e rrugëve”, tha Saraçini.
Për sektorin energjetik, ministri maqedonas shpjegoi politikat e qeverisë së tij, e cila ka përfshirë ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV të energjisë Manastir-Lin, ndërsa njoftoi se për linjën hekurudhore Kërçovë-Lin qeveria ka nisur proçedurat për marrjen e kredisë së nevojshme.
“Kompanitë maqedonase po vlerësojnë si alternative Portin e Durrësit, duke anashkaluar atë të Selanikut, ku kemi pasur së fundi probleme”, tha ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraçini.
Ai vlerësoi gjithashtu interesin në rritje të bizneseve shqiptare për investime në Maqedoni.
“Biznesi shqiptar ka hyrë në tregun maqedonas dhe në muajt e fundit kanë arritur në 2 milionë euro investime, kryesisht në ndërtim, bujqësi, sigurime dhe hoteleri”, tha Saraçini.
Për zhvillimin e shpejtë të marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve, ministri Saraçini njoftoi hapjen e një zyre tregtare në Shqipëri.
Friday, 23 December 2011 16:00