Qarkullimi i autobusëve dhe mjeteve të rënda nga pika doganore e Kapshticës drejt Greqisë do të bllokohet sot dhe nesër, pasi reshjet e shumta të dy ditëve të fundit kanë bllokuar rrugët nacionale, që përshkojnë zonën e Kozanit në Greqi.
Burime të Drejtorisë së Policisë në Qarkun e Korçës bënë të ditur se “dogana greke e Kapshticës nuk do të lejojë kalimin e autobusëve dhe mjeteve të rënda si pasojë e bllokimit të rrugëve nga dëbora”.
Sipas burimeve, qarkullimi do të jetë i mundshëm vetëm për kalimtarët dhe automjetet e vogla.
Aktualisht po punohet për kthimin e rrugëve në normalitet, por mendohet se kjo situatë do të vijojë të mbetet e njëjtë të paktën për dy ditë.
Mësohet se do të ketë një njoftim zyrtar se kur do të jetë i mundshëm qarkullimi për autobusët dhe mjetet e rënda.
Friday, 23 December 2011 14:28