Lajme Shqip Friday, 23 December 2011 14:45

Tiranë – Magjia e festave të fundvitit zbriti te enjten pasdite dhe në sallën e seancave plenare, ku kishte plot  fëmijë që festuan Krishtlindjen dhe Vitin e ri së bashku me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Ngjyrat e ndezura të festës, pema tradicionale e Krishtlindjes, muzika e këngët, mbushën sallën e zbukuruar si asnjëherë më parë, ku u ulën fëmijë të shkollave të ndryshme, fëmijë të deputetëve të Kuvendit dhe të punonjësve të administratës.

“Uroj të jeni të lumtur, të gëzuar ju dhe familjet tuaja, me të gjithë ata që ju do zemra. Ne duam t’ju shohim gjithmonë të lumtur e të qeshur. Kurrë ndonjëherë nuk ka qenë më e bukur se sot kjo sallë”, tha kryetarja Topalli, duke uruar me gjithë zemër Krishtlindjet dhe Vitin e Ri fëmijëve shqiptarë kudo që ndodhen.

Duke hapur me padurim dhuratat e shpërndara të vegjlit iu gëzuan surprizave të përgatitura enkas për ta.

Në këtë stinë kur festohen mrekullitë, fëmijët, të cilët i kanë pritur me ankth këto ditë, i japin kuptimin e plotë festave, duke i dhënë gëzim jo vetëm familjeve të tyre, por gjithë botës, sepse dhurata më e bukur për të gjithë janë fëmijët e lumtur.