Lajme Shqip Friday, 23 December 2011 13:40

Tiranë- Drama “Vdekja dhe Virgjëresha” e Ariel Dorfman, do të ngjitet sot në skenën e  Festivalit Teatror të të Rinjve, nën regjinë e Kliton Hoxhës.

Aktorët Enkela Braho, Neritan Liçaj dhe Saimir Braho do të interpretojnë në sallën e vogël të TK-së, pasi premierën e parë e kanë dhënë në Teatrin e Metropolit.

Ngjarja zhvillohet në një shtëpi bregdetare jashtë qytetit. Autori e vendos ngjarjen në një vend të Amerikës Latine të papërcaktuar, për të simbolizuar të gjitha demokracitë e brishta postdiktatoriale, pikërisht në natën kur Gerardo, një jurist, është emëruar në stafin e komisionit hetimor të krimeve dhe përndjekjeve të së kaluarës së afërt.

Gruaja e tij Paulina, një ish e përndjekur është një nga viktimat e torturuara, pjesë e krimeve të cilat pretendohet të dalin në dritë me angazhimin e këtij komisioni.

Java e Festivalit  Teatror të të Rinjve do të vazhdojë nesër me shfaqjen “Pa rrugëdalje” nga regjisori Elis Mataj. Veprat teatrore shfaqen çdo ditë në orën 18:00 deri ditën e mërkurë, 28 dhjetor, kur do të ndahen çmimet fituese.