Tiranë – Shqipëria dhe Gjermania nënshkruan sot në Tiranë marrëveshjen për eliminimin e taksimit të dyfishtë ndërmjet dy vendeve.
Marrëveshja u nënshkrua nga zv/kryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, dhe Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Muller Holtkemper.
Gjermania është donatori numër një për Shqipërinë, u shpreh Haxhinasto, duke vlerësuar faktin që “vetë qeveria gjermane ka qenë donatori i parë, me një vlerë mbi 72 milionë euro, të dhëna si donacione për zhvillimin e Shqipërisë, ndërkohë që mekanizma të tjerë janë angazhuar në projekte zhvillimore në Shqipëri në vlera mbi 170 milionë euro, investime, të cilat janë drejtuar në fusha shumë të rëndësishme zhvillimore për Shqipërinë, në fushën e energjisë, infrastrukturës dhe në fusha të tjera të zhvillimit”.
Sipas ministrit Haxhinasto, “këto investime kanë përbërë një kontribut jashtëzakonisht shumë të rëndësishëm për këtë fazë të zhvillimit që Shqipëria ndodhet sot”.
“Jemi mirënjohës për këtë kontribut të jashtëzakonshëm të Gjermanisë dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ndërsjellë për të çuar në nivele më të larta bashkëpunimin me këtë vend, që është një nga motorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik, por jo vetëm ekonomik, të Bashkimit Europian”, tha Haxhinasto.
Ndërsa ambasadorja gjermane, Holtkemper, theksoi se “sot u nënshkrua marrëveshja dypalëshe për eliminimin e taksimit të dyfishtë ndërmjet dy vendeve, që është një hap i rëndësishëm përpara në bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve”.
Në këtë kuadër, Holtkemper përmendi dhomën e përbashkët të tregtisë ndërmjet dy vendeve, e cila deri tani ka 56 anëtarë, por siç u shpreh ajo, “shpresojmë që ky numër të rritet deri në 100 anëtarë, gjë që do të rrisë dhe do të forcojë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve”.
“Kjo marrëveshje i jep mundësi bizneseve që të zgjedhin vendin në të cilin ata do të paguajnë taksat dhe në rastin tonë, biznesmenët do të preferojnë Shqipërinë sepse do të përfitojnë nga taksa e sheshtë, që është vetëm 10 %”, tha Holtkemper.
Sipas ambasadores gjermane, “Shqipëria ka potenciale të mëdha zhvillimi, si në tregun vendas, ashtu dhe në tregun rajonal, kjo edhe për taksat e ulta që zbatohen këtu, ku mund të përmendim taksën e sheshtë”.
Në kuadër të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve Holtkemper përmendi takimin e Mynihut, duke shpresuar që edhe për vitin e ardhshëm të vazhdojë kjo rrugë bashkëpunimi mes dy vendeve.
Friday, 23 December 2011 11:55 