Tiranë- Legjenda e lashtë gjermane e një historie me një fund tragjik “Zhizel”, nën muzikën e Adolphe Adam, u interpretua sot në mbrëmje në skenën e TKOB-së.
Protagonistë në rolin e Zhizelës dhe Albertit ishin solistët Enada Hoxha dhe Gert Vaso, të shoqëruar nga një kast i shumtë balerinësh, që interpretuan historinë e vajzës fshatare që dashurohet me princin. E vendosur disa herë në skenën shqiptare, “Zhizel” kthehet kësaj here nën koreografinë e atij që e ngjiti atë në skenë për herë të parë në vitin 1988, Agron Aliaj.
Baleti erdhi kësaj here me gjashtëmbëdhjetë çifte balerinësh në aktin e parë dhe 30 vajza në aktin e dytë me në role balerinët: Odeta Dishnica, Evis Nallbanin, Dion Gjinika, Sokol Zhugri, Greta Hushi, Ledia Sulaj, Fatjon Lito, Alisa Gjoni, etj.
Në aktin e parë, Zhizel dashurohet me një djalë që hiqet si i fshatar, por që në fakt është princi Albert. Kur e vërteta del në shesh dhe Zhizel e merr vesh që jo vetëm se është princ, por edhe i fejuar, shembet përdhe e vdekur. Gjatë aktit të dytë, Alberti, i cili ndihet fajtor për vdekjen e Zhizelës, përndiqet nga shpirtra djallëzorë, por edhe pse e mashtruar, Zhizel e mbron të dashurin e saj deri në fund.
Në “Zhizel” interpretojnë jo vetëm solistë të TKOB-së, por edhe nxënësit e rinj të Shkollës së Baletit, nën drejtimin e Luan Shtinos. Skena dhe kostumet e shfaqjes që ka lënë gjurmë në shumë skena të botës janë nga Shaban Hysa.
“Zhizel” është vënë në skenën shqiptare për herë të parë në vitin 1988 nga Agron Aliaj, rivënia e dytë është vënë po nga Aliaj në vitin 1998 me protagonistë Enada Hoxha, Gerd Vaso, Eno Birko, Ambeta Toromani.
Ndërkohë që vënia e fundit në skenën e TKOB-së është ajo e vitit 2001. Baleti me dy akte do të shfaqet për publikun mbrëmjet e datave 22 deri 15 dhjetor.
Friday, 23 December 2011 09:00