Berlin- Imigracioni në Gjermani është rritur shumë në gjashtë muajt e parë të vitit, kryesisht nga vendet evropiane të cilat janë të rrezikuara nga kriza debitore, kumtoi Shërbimi federal i statistikave Destatis.
Rreth 435.000 persona janë shpërngulur të jetojnë në Gjermani në gjysmëvjetorin e parë të vitit, që është për 19 për qind më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Njëkohësisht, numri i personave, të cilët e braktisin Gjermaninë, pak është zvogëluar, duke shkaktuar rritje të madhe të saldos migruese – me 61.000 deri në gjithsej 135.000 persona.
Migrimi nga Bashkimi Evropian është rritur për 29 për qind. Numri i imigrantëve grek është rritur me 84 për qind në gjashtë muajt e parë deri në 4.100 persona, ndërsa spanjollët të cilët janë shpërngulur kanë qenë 41 për qind më shumë ose 2.400 persona.
Për 30 për qind janë rritur edhe imigrantët nga vendet e reja anëtare të BE-së nga Evropa Qendrore.
Kjo është pasojë e ndërprerjes të kufizimeve për qasje të qytetarëve nga këto shtete deri te tregu gjerman i punës.
Destatis kumtoi se bruto pagat reale në Gjermani shumë pak janë rritur në tremujorin e tretë të vitit 2011.
Në krahasim me tremujorin e tretë të vitit të kaluar pagat janë rritur vetëm 0,6 pë qind në Gjermani, që përfaqëson rritje më të vogël nga tremujori i katërt në vitin 2009.
Mesatarisht në tremujorin e tretë të vitit gjermanët kanë fituar bruto 3.322 euro në muaj. Pagat më të mëdha janë regjistruar në sektorin energjetik (4.376), ndërsa më të vogla në hotelieri (1.944 eruo). (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 December 2011 20:25