Lajme Shqip Thursday, 22 December 2011 21:00

Tiranë – Infrastruktura e përmirësuar mes dy vendeve si dhe embargo që Kosova vendosi ndaj mallrave serbe, po favorizon biznesin shqiptar dhe ka gjallëruar tregtinë mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndonëse ka ende potenciale dhe mundësi për të përmirësuar këtë bilanc.

Kryetari i Aleancës së Biznesit Kosovar, Agim Shahini, gjatë një takimi sot në Tiranë me kreun e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH) Enver Ferizaj, kërkoi rritjen e eksporteve ushqimore shqiptare drejt Kosovës, veçanërisht në këtë sezon, kur dhe kërkesat konsumatore janë në rritje për këto produkte.

“Shqipëria ka shumë potenciale dhe mundësi për të ofruar më shumë produkte ushqimore në tregjet e Kosovës”, tha Shahini, duke e vënë theksin në lehtësimin e barrierave doganore për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Sipas tij, eksportet shqiptare drejt Kosovës deri tani kanë arritur në shifra disa herë më të larta sesa vitin e kaluar, por rritja e eksporteve në sezone të caktuara, pasi prodhimet bujqësore shqiptare dalin në treg më herët se në Kosovë, do të plotësonin më së miri nevojat e tregut kosovar për këto prodhime.

Presidenti i KASH-it, Ferizaj, duke folur në emër të shoqatave të agrobiznesit shqiptar, shprehu gatishmërinë për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Duke u ndalur në resurset e vendit dhe zhvillimet aktuale që po shoqërojnë sektorin e bujqësisë dhe industrinë përpunuese në vend, Ferizaj u shpreh optimist për arritjen e rezultateve pozitive në drejtim të rritjes së eksporteve shqiptare drejt tregut kosovar.

Delegacioni kosovar, gjatë qëndrimit sot në Tiranë, zhvilloi takime edhe me Ministrin e Ekonomisë, Nasip Naço si dhe me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Të dhënat statistikore tregojnë për një rritje te eksporteve të produkteve shqiptare gjatë tre muajve të fundit në vlerën e 17 milionë e 300 mije eurove ose 34% më shumë se e njëjta periudhe e vitit të kaluar. Vendosja e masës se reciprocitetit ndaj Serbisë ka bërë që Shqipëria të renditet e treta, pas Maqedonisë dhe Kroacisë, për sa i përket vlerës së eksporteve të tyre drejt Kosovës. Vendin kryesor të eksporteve shqiptare në Kosovë, e zënë kryesisht produktet industriale, si shufra hekuri, çeliku dhe gize, nafta, çimento, energjia elektrike, xehet dhe koncentrate te hekurit.