Lajme Shqip Thursday, 22 December 2011 17:51

Tiranë (PLOTESUAR, 22 Dhjetor, 20.00)  Zgjedhjen konsesuale dhe në mënyrë transparente të Avokatit të Popullit, e përshëndeti të enjten edhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi, i cili përgëzoi me këtë rast Kuvendin e Shqipërisë dhe forcat politike.

Emërimi i Avokatit të ri, sipas Sequit, shënon përfundimin e një procesi të rëndësishëm me plotësimin e një funksioni shtetëror, i cili zë një vend qendror në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

“Vlerësoj gatishmërinë e qeverisë për të votuar kandidatin e propozuar nga opozita. Mënyra më të cilën u arrit është një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të cilësisë së re të dialogut mes forcave politike shqiptare”, deklaroi Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Duke iu bashkuar fjalëve të shprehura nga Komisioneri Fyle, ambasadori Sequi, i uroi sukesese Avokatit të ri të Popullit, z. Totozani, në misionin e tij të ri e të rëndësishëm.

*************************

Bruksel-Komisioneri europian i zgjerimit Shtefan Fyle ka vlerësuar votimin e sotëm me konsensus në Kuvendin e Shqipërisë të Igli Totozanit në postin e avokatit të popullit.

Në një deklaratë për mediat, Fyle ka përgëzuar Kuvendin dhe forcat politike për këtë rezultat të rëndësishëm dhe për procesin transparent dhe të hapur i cili solli në këtë emërim.

“Plotësimi i këtij pozicioni do të ndihmojë në forcimin e një institucioni kyç të pavarur, i cili luan një rol themelor në ruajtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë”.-shprehet Fyle në këtë deklaratë.

Sipas tij, mënyra si u finalizua ky emërim përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e dialogut ndërmjet shumicës qeverisëse dhe opozitës.

“Përshëndes këtë zhvillim i cili shtron rrugën për përmbushjen e njërit prej 12 prioriteteve kyç të identifikuar nga Komisioni Evropian në Opinionin për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”. –vijon më tej deklarata e eurokomisionerit Fyle.

Ai shtoi se kjo është një tjetër shenjë e impulsit të ri që Shqipëria po fiton në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Shpresoj që në vitin 2012 të ketë të tjera zhvillime pozitive lidhur me fushat e tjera prioritare.

Wollfarth mirëpret zgjedhjen e Avokatit të Popullit

Edhe kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, mirëpriti sot zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Ky është një hap madhor përpara në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve shqiptarë, të cilët do të keni tashmë mbështetje më të fortë në përballjen me veprimet e parregullta të administratës zgjedhore”, tha Wollfarth, i cili ka bërë thirrje për plotësimin e vendit bosh të Avokatit të Popullit, që prej fillimit të punës së tij në Shqipëri, në vitin 2010.

“Është për t’u përgëzuar që shumica qeverisëse dhe opozita arritën një kompromis për këtë emërim të rëndësishëm”, shtoi ai.

Sipas Wollfarth, ky votim tregon se si dialogu mes dy blloqeve kryesore politike mund të japë rezultate në dobi të popullit të Shqipërisë.

Wollfarth theksoi se Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme për të vijuar mbështetjen për Zyrën e Avokatit të Popullit. (LajmeShqip.com)