Lajme Shqip Thursday, 22 December 2011 16:34

Prishtinë-Komisioni qeveritar për të pagjeturit në Kosovë, kërkon më shumë presion ndaj Serbisë për të ndriçuar fatin e mëse 1 mijë e 800 personave.

Anëtarët e këtij komisioni nuk janë të kënaqur me punën e këtij viti, duke konsideruar se çështja e të pagjeturve po vazhdon të mbetet peng e jokonstruktivitetit të Serbisë.

Edhe në fund të vitit 2011 vazhdon të jetë shqetësues numri i personave të pagjetur. Kosovës i mungojnë edhe 1797 persona.

Me gjithë përpjekjet e institucioneve vendore për zbardhjen e fatit të të zhdukurve kjo çështje ende mbetet brengë e institucioneve.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për persona të Zhdukur, Preng Gjetaj tha se duhet një trysni më e madhe ndaj Serbisë që të japë më shumë informacione rreth të zhdukurve.

Në raportin vjetor të punës së Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, i cili u prezantua sot, u theksua se nuk janë arritur rezultatet e pritura për këtë vit.

Ndërkaq, familjarët e të pagjeturve, kanë edhe një plagë më shumë. Në disa raste u është kërkuar të rihapin varrezat për riidentifikim.

Por kryetarja e Shoqatës “Thirrjet e nënave” Nysrete Kumnova, kundërshtoi në mënyrë kategorike hapjen e varreve.

Komisionet ndërqeveritare të Kosovës dhe të Serbisë, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq ndërkombëtar, gjatë këtij viti kanë mbajtur vetëm katër takime, por pa rezultate.

Janë zhvilluar 35 gërmime në terren, ku janë gjetur mbetjet e 40 personave. Ndërsa janë identifikuar edhe 36 lokacione të tjera ku pritet të bëhen gërmimet gjatë vitit 2012. (LajmeShqip.com)