Tiranë – Fillimisht eksperimentoi me marijuanën, të cilën ia dha një shok klase një fundjavë maji, ndërsa më pas heroina u bë Zot i tij. E takova në mjediset e organizatës STOP AIDS, një djalë i heshtur, që me pasion përgatiste “pakot”, siç i quante ai, me shiringa/age sterile, pambuk me alkool, prezervativ dhe fletëpalosje informuese. Më pas, mësova që i shpërndante në zonat ku mblidheshin përdoruesit e drogave me injektim.
Duke rrufitur kafen, Altini nis të tregojë mbi veten dhe sesi nisi përdorimin e drogës. Është 23 vjeç dhe ka pak më shumë se 6 muaj që ka hequr dorë prej saj. Nisi të përdorte drogë kur ishte vetëm 17 vjeç, në gjimnaz.
“Nuk e kisha idenë se çfarë pasojash të rënda do të më jepte kjo e ‘mallkuar'”, nis të tregojë për nisjen e saj me marijuanën. “U ndjeva mirë në fillim dhe më pas mendova se çdo problem që kisha mund ta kaloja lehtësisht me të. Për çudi çdo herë që kisha problem, më shumë më pëlqente të merrja droge. Në fakt nuk e dija se ç’rruge i kisha hyrë”, vijon Altini.
Në vit të katërt të shkollës së mesme, më tregon se nisi të përdorte heroinë, pasi, sipas tij, “marijuana nuk i jepte më efekt dhe shume shpejt nisi injeksionin”.
“Tashmë jeta ime kishte hyrë në një rrugë pa krye dhe mbi te gjitha nuk isha me zot i vetes, por dikush tjetër-heroina. Më duheshin lekë, rreth 3000-4000 në ditë për të mbajtur ‘trupin në forme’, pasi në të kundërt dhimbjet trupore dhe problemet mendore ishin pa fund. Shita gjithçka timen, vidhja në shtëpi e më pas në rrugë. Komisariatet e policisë i kisha bërë si shtëpinë time të dytë. Ndërsa ndjenja e fajit, turpit dhe e vetëvrasjes ishin bashkudhëtaret e mi të çdo dite”, rrëfen Altini për atë periudhë të jetës së tij.
Pas një historie disavjeçare si përdorues droge, vendosi të hyjë në trajtim, fillimisht në spital, ku u detoksifikua dhe më pas në një qendër rehabilitimi, ku qëndroi për rreth 5 muaj.
“Këto ishin muajt më të vështirë, ku më duhej të përballesha me dëshirën për një jetë të re dhe ‘thirrjes’ që vinte nga një skute e errët e trurit tim për t’iu rikthyer përsëri përdorimit të drogës”, shprehet ai. Por, më në fund, ia doli, e mposhti drogën dhe frikën për jetën e re që nisi. “Sot jemi bashkë dhe unë jam çdo ditë në ndihmë të shokëve të mi, u gjendem atyre pranë, duke dhënë sadopak të jetë e mundur modelin tim dhe mesazhin për të gjithë: Droga luftohet, lufta mbi të mund të fitohet”, thotë Altini.
Por historia e Altinit është vetëm e një prej shumë të tjerëve përdorues droge.
Arian Boci, nga Organizata STOP AIDS, thotë se “si në çdo vend të botës, edhe në Shqipëri përdorimi i substancave abuzive, përfshirë ato legale dhe jo legale është në rritje vitet e fundit dhe kjo lidhet me shumë arsye”.
Referuar të dhënave të fundit të raportit të EMCDA për vitin 2010, numri i personave që janë, apo kanë përdorur substance ilegale, varion nga 40.000 – 60.000 persona, nga ku mendohet se rreth 10-15% e tyre janë përdorues të drogave intravenoze, kryesisht heroinë dhe kokainë.
Ndër grupet më të prekura, sipas Boçit, janë adoleshentët dhe të rinjtë. Por vitet e fundit vihet re një rritje e ndjeshme e përdorimit të këtyre substancave nga vajzat, sidomos përdorimi i duhanit dhe marijuanës. Ndërsa, për drogat e tjera më të forta, si heroinë, kokainë, ekstazia , etj, predominon ndjeshëm numri i meshkujve.
Lidhur me shërbimet social-shëndetësore për këtë popullatë dhe sesa i përgjigjen këto situatës aktuale, Boçi tregon se “përdorimi i drogave ilegale është një fenomen i ri për vendin, rrjedhimisht hapja apo mbulimi me shërbime social-shëndetësore, lë për të dëshiruar”. Megjithatë, sipas tij, sot funksionojnë qendra të trajtimit dhe rehabilitimit për përdoruesit e drogave, por fakti është që një pjesë e tyre janë lokalizuar në Tiranë. Ndërkohë, së shpejti, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, do të ngrihet Qendra Kombëtare e Adiksionit, si dhe qendrat rajonale ne çdo prefekturë.
Por përdorimi i drogave, sidomos atyre me injektim është dhe një nga mënyrat më të rrezikshme për marrjen e infeksioneve si HIV, Hepatiti B dhe C, lidhur me të cilën Boçi sqaron se fatmirësisht në Shqipëri nuk ka një skenar të tilla.
“Përmes programeve parandaluese, përpiqemi të shmangim skenarë të tillë. Prej kohësh në vend janë ngritur programet e Zvogëlimit të Dëmit, të cilat shpërndajnë shiringa/age dhe mjete të injektimit të sigurtë tek përdoruesit e drogave intravenoze, me qëllim shmangien e ripërdorimit, apo shkëmbimit të shiringave të përdorura”, thotë Boçi.
Më tej, ai shton se “falë këtyre ndërhyrjeve, por dhe punës së madhe informuese dhe edukuese dhe koordinimit të mirë të organizmave shtetërore, donatorëve te huaj dhe OJF-ve në vend, infeksioni HIV në këtë grup popullate është në shifra tepër të vogla dhe nën kontroll”.
Megjithatë, kohët e fundit, sipas tij, “ka patur një rritje të ndjeshme të rasteve me Hepatit C tek përdoruesit e drogave me injektim dhe kjo në fakt është një kambanë alarmi, për të shtuar dhe zgjeruar sa më shumë punën, përpjekjet dhe programet parandaluese në këtë grup popullate”.
Organizata STOP AIDS kryen një pune të madhe në terren me përdoruesit e drogave, lidhur me programet parandaluese. Duke u bërë pjesë e punës së saj për disa orë, Boçi më sqaron se “ne kemi një furgon, i cili është adoptuar në pjesën e pasme si njësi infermierie. Çdo ditë stafi ynë del në terren në zonat ku injektojnë përdoruesit e drogave dhe ofron shërbime si shpërndarje të shiringave sterile, mbledhjen dhe asgjësimin e të përdorurave, mjekim të plagëve të përdoruesve të drogës, shpërndarje materialesh informuese dhe edukuese, testim për HIV, Hep B&C, këshillimi, referime etj”. Falë kësaj pune dhe programeve të tilla, infeksioni HIV tek këta përdorues është pothuajse zero.
Thursday, 22 December 2011 17:00