Një seri sulmesh të koordinuara me bombë kanë tronditur kryeqytetin e Irakut, Bagdadin, duke vrarë të paktën 49 persona dhe duke plagosur mbi 130 të tjerë.
Autoritete nga Ministria e Brendshme irakene kanë deklaruar se 13 lokacione janë sulmuar, përfshirë Al Amilin, në jug të kryeqytetit, dhe Halauin e Karradën, në afërsi të qendrës.
Atentatet e sotme janë më të rëndat e muajve të fundit në Irak dhe vijnë në një moment frike për rritjen e tensioneve sektare, dhe për një shpërbërje të mundshme të qeverisë së unitetit.
Ende nuk dihet se kush fshihet pas sulmeve, por gjithsesi analistët vlerësojnë se niveli i koordinimit të tyre sugjeron se vetëm Al Kaeda mund t’i ketë organizuar.
Shpërthimi i bombave mbetet në rend të ditës në Irak, edhe pse dhuna sipas autoriteteve ushtarake amerikane ka rënë ndjeshëm që pas vitit 2006, kur dhe arriti pikun.
Në Al Amil u regjistruan dy shpërthime, i dyti nga të cilët kishte si objektiv të godiste skuadrat e shpëtimit që kishin ardhur për të ndihmuar personat e plagosur nga shpërthimi i parë.
Raghad Khalid, një mësuese kopshti në Karrada, deklaroi se shpërthimet thyhen të gjitha xhamat e dritareve të ndërtesës së vogël ku ndodhej kopshti.
“Fëmijët u tmerruan dhe filluan të qanin. Disa pjesë të makinës-bombë janë jashtë ndërtesës sonë”, ka deklaruar mësuesja për BBC.
Menjëherë pas shpërthimit në zonën e Karradës u ngrit një tym i zi dhe ambulancat vërshuan për të arritur në vendin e ngjarjes. Një tjetër qytetare thotë se fëmija e saj është mbuluar nga xhamat.
“Ajo është shumë e trembur dhe ndodhet në dhomën tjetër. Të gjitha vendet janë të qëndrueshme, po ne, përse s’kemi siguri dhe stabilitet?”, ka thënë Um Hanin.
Thursday, 22 December 2011 12:40