Beograd-Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se katër ministra të Jashtëm të vendeve të BE-së ia kanë bërë me dije se Serbia nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa e njohur shtetin e pavarur të Kosovës.
“Katër ministra të jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian më kanë thënë se Serbia nuk do të bëhet anëtare e BE-së përderisa dhe formalisht nuk e pranon pavarësinë e Kosovës. Ndoshta jo nesër, por gjithsesi para se të pranohemi në BE”, ka thënë Jeremiq për mediat serbe.
Ai ka thënë se vendet e fuqishme evropiane kanë një qëndrim, e ai është që Serbia ta pranojë planin e Ahtisaarit dhe në fund ta njoh pavarësinë e Kosovës edhe “në kuptimin e plotë formal të kësaj fjale”.
Ministri i Jashtëm serb, ka theksuar se Serbia në dhjetor nuk ka mundur të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian pa hequr dorë, sic ka thënë ai, në mënyrë eksplicite nga Rezoluta 1244.
“Kemi treguar fleksibilitet të madh dhe gatishmëri që të gjendet zgjidhje përmes dialogut me Prishtinën, por nuk mundemi ta përmbushim këtë lloj kërkese”, ka thënë ndër të tjera Jeremiç.
Serbia ka dështuar të marrë statusin e kandidatit për BE më 9 dhjetor, për shkak të kundërshtimit nga ana e Gjermanisë, ushtarët e së cilës në kuadër të KFOR-it janë plagosur nga serbët e rebeluar në veri gjatë heqjes së barrikadave.
Këshilli i BE-së do të marrë vendimin në mars të vitit të ardhshëm nëse Serbisë do t’i jepet statusi i kandidatit, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe do të shikohet nëse Serbia po implementon marrëveshjet e arritura me Kosovën gjatë dialogut në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Thursday, 22 December 2011 09:15