Lajme Shqip Wednesday, 21 December 2011 22:31

Prishtinë-Përballë selive të institucioneve më të larta të Kosovës, pranë monumentit të Skënderbeut në kryeqytetin e Kosovës, sonte u bë ndriçimi solemn i bredhit të festave të fundvitit, traditë  kjo në vitet e lirisë dhe pavarësisë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga tha se “sonte jemi mbledhur këtu që të shënojmë një simbolikë të rëndësishme të ruajtjes dhe thellimit të kulturës sonë shpirtërore dhe materiale”. 

“Ndriçimi i këtij bredhi është edhe një dëshmi se populli ynë dhe vendi ynë di që ti ruaj traditat tona kulturore, nacionale dhe shpirtërore. Tradita që i përkasin edhe vlerave të qytetërimit evro-perëndimor, vepra dhe vlera të cilat gjithnjë populli ynë dhe qytetarët tanë i kanë dhënë ngjyrat që burojnë nga diversiteti ynë etnik, kulturor e fetar”, u shpreh Jahjaga.

Në ceremoninë ku ishte edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, Presidentja Jahjaga përkujtoi se Bredhi i Pavarësisë, siç ishte cilësuar nga Presidenti historik, Ibrahim Rugova, gjithnjë është ndriçuar për nderim të festave të fundvitit, që të gjithë qytetarët të festojnë me harmoni e lumturi.

“Le të jenë këto drita që të ndriçojnë shpirtin dhe zemrën e të gjithë neve duke sjellë harmoni dhe lumturi, së pari për fëmijët tanë e pastaj për të gjithë neve”, uroi Presidentja kosovare Jahjaga. (LajmeShqip.com)