Prishtinë-Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili është cilësuar si një ndër ligjet më kryesore të këtij viti.
Në emër të qeverisë së Kosovës projektligjin e ka paraqitur zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi. Ai tha se me këtë ligj plotësohet fusha e drejtësisë, ndërkohë që eliminohen shumë mangësi. Bukoshi tha se e rëndësishme është se ky kod mbron pavarësinë e qytetarit dinjitetin dhe të drejtat tjera.
Projektligjin në parim e ka përkrahur grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës. Deputeti nga ky subjekt Behar Selimi tha se ky projektligj ka arritur të plotësojë mangësitë nga kodi aktual dhe kthen besimin tek institucionet e drejtësisë.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë përkrahur në tërësi projektligjin, por kanë kërkuar disa ndryshime të vogla.
Ndërsa kundër ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Albulena Haxhiu në emër të Vetëvendosjes tha se ky projektligj ka mangësi të shumta e sidomos në një prej neneve të saj ku parashikohet si vepër penale mosbindja ndaj policit, rezistenca etj.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike, ndërkohë që seanca vazhdoi me shqyrtimin e projektligjeve të tjera. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 21 December 2011 19:43